Jo vetëm mjekët dhe zanatçinjtë por Gjermania na merr edhe berberët (VIDEO)

Gjermania është kthyer në ëndrrën dhe mundësinë e çdo të riu shqiptar. Për të prekur ëndrrën gjermane jo domosdoshmërisht duhet të jesh mjek ose infermier, pasi ky shtet është duke kërkuar edhe berber.

Mijëra infermierë dhe qindra mjekë tashmë profesionin e tyre e ushtrojnë në Gjermani. Duket se pas bluzave të bardha, radhën për të shkuar në këtë shtet e kanë berberët. Shumë të rinj i janë drejtuar qendrave berberhane për të marrë këtë profesion e më pas për të shkuar drejt shtetit gjerman.

22-vjeçari Flogert Bami tregon: “Kam filluar kursin e berberit prej 5 muajsh. Kam edhe një muaj që të përfundoj kursin e plotë. Unë të ardhmen time e shoh në Gjermani, pasi shumë nga shokët e mi këtë kurs e ndjekin atje. Edhe unë e shoh si mundësi të mirë për të punuar atje. Pasi të mbaroj kursin e berberit, do të shkoj të mësoj gjuhën gjermane, kështu edhe ambasada mund të më lidhë një kontratë pune”.

“Kam shumë shokë dhe ata më kanë rekomanduar që të mbaroj kursin dhe të shkoj në Gjermani. Paga varion nga 1000-1500 euro, varet nga salloni ku punon dhe qyteti”, shton i riu.
Fiqo Brahaj është një nga berberët më të vjetër në kryeqytet. Pranë sallonit të tij shumë të rinj vijnë për mësuar profesionin e berberit dhe për ta ushtruar atë në Gjermani.

“Të rinjtë janë të prerë, e kanë ndarë mendjen për Gjermani. Madje nuk e mbarojnë kursin sepse dalin punojnë”, thotë Brahaj.

Numri i saktë i të rinjve me profesion berber që janë larguar në Gjermani nuk dihet, por ky është trendi i fundit. Më të kërkuarit në Gjermani janë infermierët, por edhe hidraulikët, elektricistët, specialistët e mirëmbajtjes, largimi i të cilëve po ndjehet, por së shpejti do nisin të mungojnë edhe berberët.

Video:


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu