Kadare prezanton në Tiranë librin e ri ‘Kur sunduesit grinden’

Shkrimtari i shquar Ismail Kadare ka prezantuar librin e tij të ri “Kur sunduesit grinden” në Panairin 21 të Librit në Tiranë. Vetë shkrimtari i shoqëruar nga botuesi Bujar Hudhri dhe bashkëshortja Helena Kadare, qe i pranishëm dhe firmosi mjaft kopje të librit, që u blenë me shpejtësi nga lexuesi.

Siç shkruhet në vepër, “në këtë libër bëhet fjalë për një bashkëbisedim telefonik, i cili, ndonëse ka ndodhur gati një shekull më parë, vazhdon të zbërthehet e të interpretohet ende sot në mënyrat më kundërthënëse.

Në një vështrim të parë, krijohet përshtypja se kureshtjen për librin e mbajnë gjallë dy bashkëbiseduesit: Stalini dhe Pasternaku.

Nga një shqyrtim më i thellë, një personazh i tretë, më pak i njohur se ata, poeti Osip Mandelkshtam, ndonëse nuk merr pjesë në bisedim, zë vendin kryesor në të. Është fati i tij i hidhur, në të vërtetë fati i qindra shkrimtarëve të njohur e më pak të njohur, që vuajtën nën komunizmin bolshevik.

E vërteta e tyre tragjike, në vend të harresës, pret ringjalljen e saj. Tani që ky rend ka rënë, hapja e arkivave dhe dosjeve të tij është çështje e ditës.”


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu