KADARE: RREZIQET QË I KANOSEN SHQIPËRISË NË KËTË MIJËVJEÇAR

Shkrimtari i njohur Ismail Kadare trajton mitin e katastrofës te “Kombi Shqiptar në prag të mijëvjeçarit të tretë”. Sipas tij, në kushtet sidomos kur kombi shqiptar vazhdon të jetë i prerë më dysh, vizioni rilindës mbetet vizioni bazë për botën shqiptare.

Popujt, ashtu si qeniet njerëzore, kanë dëshirë të kujtojnë fatkeqësitë e kaluara. Me kalimin e viteve, shpesh qëllon që këto fatkeqësi të skajuara në ndërgjegjen e tyre, ndryshojnë trajtë, rrallëherë zbehen ose harrohen, së shumti zmadhohen ose nxihen më fort. Në ndryshim me qenien njerëzore, që e ka jetën të shkurtër, jetëgjatësia e kombeve krijon kushte për tjetërsimin e fatkeqësive, të cilat disa herë shndërrohen në mite të vërteta. Në këto mite mbështetet shpesh kujtesa historike, prej tyre ushqehen letërsia dhe artet ose krijohen psikoza fataliste që ngjyrojnë për një kohë të gjatë atë që quhet shpirtësi e një populli. Ndërkaq, kaq raste që prej këtyre miteve ushqehen propagandat shoviniste e doktrinat hakmarrëse kundër popujve të tjerë. Një nga mitet tipike që gjendet në historinë e shumë popujve është ai i katastrofës së dikurshme. Është një thyerje ose një humbje e dhembshme ose disa gjëma të njëpasnjëshme, kujtimi i të cilave nuk ka asgjë të keqe, përkundrazi, shërben për fisnikërimin e një populli, kur selitet në një kah të mbarë. Për fat të keq, koha ka treguar se mund të shërbejë edhe për të kundërtën: për ta egërsuar një popull kundër të tjerëve.

Fatkeqësitë e kaluara të popullit shqiptar, pushtimi osman në shekullin XV, copëtimi i Shqipërisë në fillim të shekullit XX dhe izolimi i saj nga bota, për faj të diktaturës komuniste në gjysmën e dytë të këtij shekulli, nuk krijuan të shqiptarët as doktrina shfarosëse, as urrejtje kundër të tjerëve dhe kjo është një cilësi e admirueshme e tij. Nderimi dhe mbrojtja e tjetrit, e atij që është i ardhur, i huaj, mik ose bujtës, një mendësi që vjen qysh nga kohërat antike, ka qenë një nga gurët themelore të qytetërimit shqiptar.
Që ky nderim nuk është një shpikje poetësh e as një cilësi e elitës shqiptare, u rivërtetua gjatë Luftës së Dytë Botërorë. Dhjetëra-mijëra ushtarë italianë të mbetur në Shqipëri nën mëshirën e popullsisë së armatosur shqiptare, pas kapitullimit të Italisë, nuk u prekën aspak prej kësaj popullsie, përkundrazi u morën në mbrojtje prej saj. Nga ana tjetër, është një fakt i njohur tashmë se Shqipëria ishte një nga vendet e rralla në botë, në mos i vetmi, ku asnjë hebre nuk iu dorëzua nazistëve.
Diktatura komuniste me politikën e saj veçuese u përpoq ta armiqësonte popullin shqiptar me të gjithë botën, kryesisht me Evropën Perëndimore, por nuk ia doli dot. Pas rënies së komunizmit, populli shqiptar dëshmoi ndaj të huajve evropianë dhe amerikanë po atë ndjenjë miqësore të dikurshme.

Kjo tolerancë e gjerë e këtij populli, e shoqëruar me tolerancën fetare, gjithashtu të vërtetuar gjatë shekujve, nuk u vu në dukje e nuk u çmua asnjëherë sa duhet. E ishte e nevojshme, për të mos thënë e detyrueshme, të çmohej, sepse kishim të bënim me një shembull të shkëlqyer ballkanik, në kohën që gadishulli i madh u përfshi tej e mbanë nga furtunat shoviniste, nga intoleranca e urrejtja etnike e nga krimet e rënda të ushqyera prej saj. Për t’u kthyer te miti i katastrofës, ky mit te shqiptarët, ndërsa nuk shkaktoi acarimin kundër të tjerëve, mori, për fat të keq, një zhvillim të papritur: revoltim kundër vetvetes.

Psikoza mohuese

Rilindësit duhen lexuar e rilexuar gjithmonë, sidomos në kohëra të vështira. Duke i shfletuar tani, shikojmë se, përveç shqetësimit të tyre themelor: çlirimit të Shqipërisë e pavarësisë së saj, ishte një ankth tjetër, i vazhdueshëm, i lidhur ngushtë me të parin: Rizgjimi i atdhedashurisë.
Këmbëngulja e tyre për këtë rizgjim, kambanat e tyre, thirrjet e zjarrta, shpeshherë të dëshpëruara “Ti Shqipëri më jep nder, më jep emrin shqiptar !”, dëshmojnë një të vërtetë tepër dëshpëruese: një pjesë e shqiptarëve ishte ftohur prej atdheut të tyre. Turqizmi i qindra-mijëra shqiptarëve, greqizmi i një pjese tjetër, ngatërrimi i përkatësisë shqiptare me atë fetare, dëshmonin se ndjenja patriotike te një pjesë e shqiptarëve ka qenë jo aq e fortë siç paraqitej. Një pjesë e tyre me lehtësi ishin gati ta këmbenin atdheun e tyre me një tjetër atdhe.
Injoranca e thellë ku u zhyt për shumë shekuj populli shqiptar, mungesa e shkollave, e universiteteve, e akademive, e institucioneve kulturore e, natyrisht, mungesa e strukturave shtetërore, e zbehu fort shqiptarizmin ose, në rastin më të mirë, e la atë në një nivel parak (primitiv), që me vështirësi e kapërcente folklorizmin. Në kushte të tilla, takimi me një kulturë të huaj ishte tronditëse për shqiptarët.
Ajo krijonte dy rrjedhime: ose i shtynte ata, që në shembullin e kësaj kulture të ringjallnin kulturën e vendit të vet, ose e kundërta, i largonte përfundimisht prej atdheut. Kështu, në agimin e çlirimit të Shqipërisë, i kemi pasur të dyja prirjet: atdhedashurinë e disave dhe anti-shqiptarizmin e, disa herë, kundër shqiptarizmin e të tjerëve. Rilindësit u përpoqën si titanët t’i bindin shqiptarët se nuk duhej të turpëroheshin nga vendi i tyre, se ata kishin një atdhe të bukur, se kishin një gjuhë madhështore, një nga 5-6 gjuhët themelore të botës, së ishin një racë e bukur trupërisht dhe tepër e aftë mendërisht, së kishin një histori të shkëlqyer, se gjëmat kombëtare nuk ishin arsye për t’u ftohur me atdheun, por përkundrazi, për t’u afruar më fort me të.
Aksioni i rilindësve për zgjimin e Shqipërisë ishte më i madhi e më i gjëri aksion kulturor e patriotik në krejt historinë shqiptare. Rrallëherë emërtimi i një lëvizjeje përkonte me qëllimin e saj, ashtu si në rastin e Rilindjes shqiptare. Në të vërtetë, ishte ajo që e rilindi Shqipërinë, ose për të qenë më të saktë, ishte ajo që e lindi Shqipërinë moderne.
Që kjo lëvizje e ky vrull të ishin të suksesshëm, rilindësit e himnizuan dhe e sublimuan historinë e shqiptarëve. Ata qëmtuan në të kryesisht kulmet e ndritura, duke mos u ndalur në njollat e saj. Po me këmbëngulje ata vunë në pah vlerat morale e fizike të shqiptarëve, kryesisht virtytet, pa dashur të ndalen në cenet e tyre, që nuk ishin më të pakta se virtytet. Kjo ishte rrjedhojë logjike e qëllimit të lëvizjes: rifitimin e besimit të humbur.
Një arsye tjetër që e përligjte plotësisht optikën e tyre pozitive ishte propaganda kundër shqiptare, që kishte nisur ndërkaq të kultivohej nga fqinjët e Shqipërisë: kryesisht nga rrethet shoviniste serbe e greke. Ishte një propagandë e egër dhe shtazarake që rrallëherë ishte parë në faqe të dheut. Përballë kësaj furtune të sëmurë, rilindësit shqiptarë mbajtën një qëndrim fisnik e të admirueshëm.
Në vend që të binin në nivelin e saj, duke u përdhosur edhe vetë nga balta e kundërshtarëve, ata zgjodhën përgjigjen e tërthortë: lartësimin e vlerave shqiptare.Ky vizion optimist i rilindësve, i përfaqësuar në radhë të parë prej Naim Frashërit e më vonë prej Gjergj Fishtës, u bë objekt vërejtjesh e kritikash më pas e vazhdon ende sot, në mënyrë të drejtpërdrejtë ose të tërthortë. Në ngjarjet e fundit tragjike të Shqipërisë ishte pikërisht ky vizion rilindës që u sulmua në mënyrën më barbare. Një grusht intelektualësh renegatë e një grusht politikanësh të papërgjegjshëm, të bashkuar me turmat e vulgut (llumit) shqiptar, u përpoqën dhe arritën t’ia vinin zjarrin Shqipërisë. Qëllimi i tyre ishte zhbërja e Shqipërisë, çka ata e treguan me shkatërrimet e vlerave kombëtare, të atyre që nuk ishin prekur as nga pushtuesi otoman e as nga ai nazist.
Nga këto ngjarje Shqipëria, e ndoshta jo vetëm Shqipëria, por Evropa e tërë, nxori një mësim që asnjëherë nuk ka qenë kaq i qartë: në kushtet e demokracisë, turmat vulgare të fshehura prapa fjalës “popull” mund të kthehen në varrmihës të demokracisë, po aq sa tiranët, në mos më keq. Kjo është edhe arsyeja që grekët e vjetër, kur diskutonin për demokracinë, për të mirat e të këqijat e saj, ishin tepër gjakftohtë, pa paragjykime, rrjedhimisht pa entuziazëm. Nën trysninë e populizmit të majtë, bota e sotme, ashtu siç ka harruar mjaft mësime të historisë, e ka harruar, me sa duket, edhe këtë mençuri antike. Shqipëria, që e provoi në mish të saj ç’do të thotë kjo karikaturë e demokracisë shpresojmë të mos e harrojë.
Mësimi, pra, është i qartë: demokracia e pashoqëruar nga një strukturë ligjesh e një strukturë e fortë shtetërore që të sigurojë funksionimin e saj, mund të kthehet lehtë në të kundërtën e vet.Për sa i përket kritikës ndaj vizionit të rilindësve shqiptarë, ajo, gjithashtu, duhet parë në rrethanat kur është bërë e në zhvillimin e dramës shqiptare. Ai këndvështrim inkurajues lindi në kushte të caktuara, për një qëllim të caktuar. Në kushte të mëvonshme, kur kombi shqiptar, ose së paku një pjesë ë tij që e kishte shtetin e vet të pavarur, ndeshej me probleme të tjera, me probleme të së drejtës, të demokracisë, të emancipimit shoqëror etj. Ai këndvështrim optimist nuk ishte i mjaftueshëm. Ndaj edhe bota shqiptare kërkoi dhe gjeti shtigje të reja të mendimit e të veprimit (“Kombi Shqiptar në prag të mijëvjeçarit të tretë”, Onufri 2013, “Dielli” 2016).


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu