Drejtoresha e Fondit për të Drejtën Humanitare në Beograd, Natasha Kandiq ka thënë se lidershipi serb duhet t’i adreohet publikut për emrat e Ndërmarrjes së Përbashkët Kriminale të Serbisë në krye Slobodan Millosheviq. Kandiq ka shkruar se pas verdiktit ndaj Stanishiqit dhe Simatoviqit emrat e kësaj Ndërmarrje të Përbashkët Kriminale të Serbisë janë publikuar.
“Verdikti kundër Stanishiqt dhe Simatoviqit ka publikuar edhe emrat e pjesëmarrësve të Ndërmarrjes së Përbashkët Kriminale nga Serbia: Slobodan Millosheviq, Radmilo Bogdanoviq, Radovan Stojqiq Badza, Mihajl Kartes dhe Zeljko Raznatoviq Arkan. Është koha që lidershipi serb t’i adresohet publikut me këtë rast”, ka thënë Kandiq.
Gjykata e Kombeve të Bashkuara në Hagë ka publikuar në faqen e saj të internetit të gjithë aktgjykimin e shkallës së parë me të cilin Jovica Stanishiq dhe Franko Simatoviq u dënuan me nga 12 vjet burg secili. Një pjesë e rëndësishme e këtij aktgjykimi flet edhe për Sllobodan Millosheviqin.
Edhe pse në aktgjykim thuhet se Simatoviq dhe Stanishiq nuk ishin pjesëmarrës në Ndërmarrjen e Përbashkët Kriminale, u vërtetua se një nga pjesëmarrësit e kësaj ndërmarrjeje ishte Sllobodan Millosheviq.
Në aktgjykim thuhet se nga gushti 1991 deri në dhjetor 1995 ekzistonte një Ndërmarrje e Përbashkët Kriminale e cila nënkuptonte ekzistencën e një qëllimi të përbashkët kriminal që të hiqet me forcë dhe përgjithmonë, nëpërmjet kryerjes së krimeve të përndjekjes shumica joserbe, kryesisht kroatë, boshnjakë dhe kroato-boshnjakë nga zona të mëdha të Kroacisë dhe Bosnje e Hercegovinës.









