KE: Ballkani Perëndimor me pak përparim në rrugën drejt BE-së

Komisioni Evropian të martën prezanton Raportet e Progresit për vendet e zgjerimit. Paketa e zgjerimit, që përfshin edhe raportet vjetore të progresit për vendet në këtë proces, pritet të konstatojë vetëm një përparim të kufizuar të këtyre vendeve drejt përmbushjes së kritereve për integrim në Bashkimin Evropian.

Dokumenti do të paraqitet më vonë pasdite nga Komisioneri evropian për Zgjerimin, Oliver Varhelyi – autor i paketës. Paketa do të mbulojë gjashtë vende të Ballkanit Perëndimor (Shqipëria, Bosnja dhe Hercegovina, Mali i Zi, Kosova, Maqedonia e Veriut dhe Serbia) si dhe Turqia.

Serbia dhe Mali i Zi tashmë kanë nisur procesin e negociatave të pranimit, me Malin e Zi që ka hapur të gjithë kapitujt në këtë proces.

Turqia po negocion gjithashtu anëtarësimin në BE, megjithëse në marrëdhënie të tendosura me institucionet e Brukselit. Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut janë në pritje të hapjes së negociatave.

Bosnja dhe Hercegovina dhe Kosova janë në fund të listës sepse janë të vetmet vende që kanë perspektivë evropiane, por ende nuk kanë statusin e kandidatëve për anëtarësim në BE. KE publikon këtë raport një herë në vit dhe tregon situatën në të gjitha fushat kryesore, ku reformat janë të nevojshme që këto vende të përparojnë në procesin e integrimit evropian.

Radio Evropa e Lirë ka pasur qasje në një dokument, që si në vitet e mëparshme, paraqet një pamje gri të situatës, veçanërisht në fushat kryesore, siç është sundimi i ligjit. Progresi në këtë fushë është vendimtar për secilin vend për të bërë përparim në procesin e pranimit.

Këto raporte pritet të miratohen të martën nga Kolegji i Komisionerëve dhe të prezantohen para deputetëve të Parlamentit Evropian, nga Oliver Varhelyi, komisionari për zgjerim i BE-së.

KE: Kosova, pak progres në shumë fusha

Kosova duhet të angazhohet në mënyrë konstruktive dhe të bëjë përpjekje të tjera substanciale në “zbatimin e të gjitha marrëveshjeve të kaluara” të arritura në kuadër të dialogut me Serbinë dhe të “kontribuojë në arritjen e një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse, ligjërisht të obligueshme për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë”, tha Komisioni Evropian në Raportin e Progresit.


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu