Kë e takoi Haradinaj gjatë vizitës në ShBA përtej asaj që u bë publike

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj ka qëndruar në një vizitë disa ditore në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Vizitën, Haradinaj e realizoi falë vizës amerikane që më në fund ia lëshoi Ambasada amerikane në Prishtinë. Ai kishte qenë në mesin e politikanëve të sanksionuar nga amerikanët shkaku i mos-pezullimit të taksës 100 për qind ndaj produkteve serbe dhe boshnjake. Por, a ishte vizita e Haradinajt private apo zyrtare dhe pse ai nuk u takua me asnjë zyrtar amerikan? Periskopi ju sjell detaje të reja…

Më 5 prill të këtij viti, kryeministri Ramush Haradinaj udhëtoi për në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Në një kumtesë të Zyrës së Kryeministrit thuhej se Haradinaj udhëtoi në Amerikë, me ftesë të Komunitetit Katolik Shqiptar, Shën Pali, në Detroit, për të marrë pjesë në shënimin e 108-vjetorit të Kryengritjes së Malësisë.

Me këtë rast u tha se kryeministri Haradinaj do të ketë takime edhe me përfaqësues të komunitetit shqiptar katolik në Amerikë dhe autoritete të Detroitit, si dhe zyrtarë të tjerë të ShBA’së.

Por, kush ishin zyrtarët e tjerë të ShBA’së asnjëherë nuk u bë e ditur.

Në fakt, gjatë qëndrimit në SHBA, kryeministri nuk bëri publik asnjë takim me zyrtarë amerikanë të shtetit.

Andaj, nuk dihet se kë prej tyre ka takuar në të vërtet dhe çfarë karakteri kishin ato takime.

Këshilltarja e kryeministrit, Donjeta Gashi, ka thënë për Periskopin se kryeministri ka pasur edhe takime të tjera në SHBA, të cilat kanë qenë jo-protokollare, andaj të njëjtat nuk janë bërë publike.

Por, sipas saj, kjo nuk nënkupton se ato takime kanë qenë më pak të rëndësishme.

Gashi shtoi se përveç ftesës nga Komuniteti Katolik Shqiptar, vizita e Haradinajt më shumë ka pasur karakter ekonomik.

“Ka pasur edhe takime të tjera, të cilat kanë qenë jo-protokollare, andaj edhe nuk janë bërë publike, edhe ato kanë qenë të rëndësishme. Por vizita kryesisht ka pasur karakter ekonomik, ku janë zhvilluar takime me investitorë potencial”, ka thënë Gashi për Periskopin.

Me të mbërritur në SHBA, Haradinaj publikoi një fotografi në rrjetin social “Facebook”, ku shkroi për takimet që do pritet t’i ketë.

“Sapo kam arritur në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, në Detroit, ku do të marrë pjesë në shënimin e 108-vjetorit të Kryengritjes së Malësisë, me ç’rast do të zhvillojë takime edhe me përfaqësues të komunitetit shqiptar në Amerikë, autoritete të Detroit-it dhe zyrtarë tjerë të ShBA-së”, shkroi Haradinaj.

Të nesërmen, ai publikoi një fotografi nga një drekë pune me ambasadoren e Kosovës në SHBA, Vlora Çitakun dhe bashkëpunëtorët Edi Demaj dhe Marjan Camaj, të cilët janë ndërmarrës në Detroit të SHBA’së.

“Drekë pune me ambasadoren Vlora Çitaku me bashkëpunëtorë, Edi Demaj dhe Marjan Camaj, ndërmarrës të suksesshëm në Detroit të ShBA-ve. Është mbresëlënës suksesi i tyre, nga refugjatë në 99-tën, në emra të suksesshëm në fushën e teknologjisë, internetit dhe IT-së. Storien e suksesit në ShBA e kanë sjellë edhe në Kosovë, duke investuar kapitalin e tyre për të hapur vende të reja pune dhe rritur ekonominë e vendit. I lumtur të kuptoj që planet për Kosovën veç janë rritur. Duke i ftuar të investojnë më shumë, u zotova se Qeveria do të jetë gjithmonë mbështetëse për investimet e tyre në Kosovë”, shkroi Haradinaj.

Haradinaj shkoi edhe për vizitë në një nga kompanitë më të suksesshme të Detroit, Bedrock, ku partner teknologjik në ndërtim janë edhe kosovaro-amerikanët Etrit dhe Edi Demaj.

“Vizitë në njërën nga kompanitë më të suksesshme të Detroit, Bedrock ku partner teknologjik në ndërtim janë edhe kosovaro-amerikanët Etrit dhe Edi Demaj. Duke pas në fokus sektorin e patundshmërive Bedrock me vëllëzërit Demaj, janë shndërruar në forcë kryesore të zhvillimit të Detroit pas krizës ekonomike. Me një investim prej 3 miliardë dollarësh, Bedrock, përmes KodeLabs 60% e softëareve i punon në Kosovë, me të rinjtë tanë. Duke e pasur përqëndrim zhvillimin ekonomik të vendit, para këtyre ndërmarrësve dhe partnerëve të tjerë, shpalosa platformën ekonomike që ofron Kosova, me lehtësirat fiskale, ligjin për investime strategjike dhe Zonën e Veçantë ekonomike Amerikane në Gjakovë. Në këtë ofertë të Kosovës, karshi tërheqjes së investimeve direkte, Qeveria do të jetë partner konstruktiv në çdo mundësi dhe projekt, për zhvillim ekonomik të vendit dhe gjenerimin e vendeve te reja të punës”, shkroi Haradinaj.

E krejt në fund, Haradinaj publikoi fotografitë nga festa e komunitetit katolik shqiptar “Shën Pali” në Detroit, në shënim të 108-vjetorit të Kryengritjës së Malësisë dhe Ditës së flamurit të Dedë Gjo Lulit.

“Shumë i nderuar të isha në mesin e komunitetit Katolik Shqiptar “Shën Pali” në Detroit dhe shqiptarë të të gjitha trojeve tona, në shënim të 108-vjetorit të Kryengritjës së Malësisë dhe Ditës së flamurit të Dedë Gjo Lulit, një prej ngjarjeve më krenare të historisë së lëvizjes shqiptare për liri e mëvetësi kombëtare. Malësorët krenarë në Amerikë, nuk harruan në asnjë çast kush janë e nga vijnë. Në kohështrirje të ndryshme, me dijen dhe atdhedashurinë e tyre, i kanë dhënë krah tërë trojeve shqiptare, duke u ngritur njëkohësisht në shoqërinë amerikane dhe kjo është garancë e thellimit të miqësisë së përhershme me ShBA-në”, shkroi Haradinaj.

Kryeministri Haradinaj kishte qenë në mesin e politikanëve të sanksionuar nga amerikanët, si pasojë e vendimit për mos-pezullimin e taksës 100 për qind ndaj produkteve serbe dhe boshnjake, e cila ka bllokuar dialogun me Serbinë në Bruksel./PERISKOPI


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu