Kërkohet angazhim më i madh nga Kosova dhe Shqipëria për Preshevën, Medvegjën dhe Bujanocin

Presheva, Medvegja dhe Bujanoci vazhdojnë të përballen me sfida, probleme dhe paragjykime nga shteti serb. Së fundi, Qeveria Kurti ka ndarë edhe 2 milionë euro nga buxheti i saj për komunat e Kosovës Lindore.

Kryetari i Bujanocit, Nagip Arifi në një prononcim për gazetën “Bota sot” foli për qasjen dhe ndihmën që dy shtetet shqiptare, Kosova dhe Shqipëria po ua bëjnë komunave të Kosovës Lindore.

Ai e vlerësoi lartë ndarjen e 2 milionëve nga Qeveria e Kosovës, ndërsa tha se Shqipëria nuk ka bërë ende diçka konkrete.

Vitin e kaluar në mbledhjen e përbashkët mes dy qeverive shqiptare u nënshkrua edhe themelimi i Fondit Kombëtar për Luginën e Preshevës, që kishte për qëllim ndihmën për zhvillim të tri komunave Bujanoc, Preshevë dhe Medvegjë. Kosova këtë vit ka bërë hapin e parë, duke ndarë nga buxheti i saj shumën prej 2 milionë eurove, kurse Shqipëria, edhe pse në bazë të Kushtetutës së saj e ka obligim që të kujdeset për shqiptarët jashtë territorit të saj, ende nuk ka dhënë sinjal se do të bëjë diçka konkrete”, deklaroi Arifi.

Gjithashtu, kryetari i Bujanocit u shpreh se pret një angazhim më të madh nga qeveritë shqiptarë, më saktësisht nga Shqipëria e cila ka raporte të mira me Serbinë.

“Sigurisht, që ne presim angazhim edhe më të madh nga dy qeveritë, por nëse Kosova ka ende probleme të pazgjidhura me Serbinë dhe në njëfarë forme Serbia mund të pengojë ndihmën e saj, kjo nuk vlen për Shqipërinë e cila duket se ka raporte shumë të mira me Serbinë”, tha ndër të tjera Nagip Arifi.


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu