Pas mbledhjes së Këshillit të Çështjeve të Përgjithshme të Këshillit Europian u njoftua se pas shumë mundi me unanimitet janë miratuar konkluzionet për procesin e zgjerimit dhe stabilizimit dhe asociiimit. Kosovës në raportin e mbledhjes i kërkohet të dëshmojë rezultate në luftën kundër korrupsionit, dhe të angazhohet fuqishëm në dialogun Kosovë-Serbi.
Sipas raporteve fillestare në media kishte mjaft mospajtime në Këshillin Europian dhe tek pas mbledhjes së pasdites kanë arritur pajtueshmëri për konkluzionet e takimit.
Në takimin e Këshillit të çështjeve të përgjithshme, ministrat përsëritën përkushtimin e tyre ndaj procesit të zgjerimit, që sipas tyre, mbetet politika kyçe e BE-së. Këshilli po ashtu thekson se sundimi i ligjit është element kyç nga i cili do të varet edhe dinamika e përparimit të vendeve të Ballkanit në procesin e integrimeve evropiane.
Në pjesën që i kushtohet Kosovës, në dokument thuhet se BE-ja mirëpret konfirmimin e Qeverisë së re të Kosovës për përkushtimin ndaj rrugëtimit evropian dhe reformat e lidhura me këtë i sheh si një zgjidhje strategjike.
Në dokumentin e konkluzave kërkohet që Kosova të zbatojë legjislacionin në fuqi dhe të dëshmojë rezultate në luftë kundër korrupsionit dhe po ashtu të zbatojë reforma në përputhje me standardet evropiane.
Sa i përket dialogut midis Kosovës dhe Serbisë, nga të dyja vendet kërkohet që të angazhohen me vullnet të mirë në këtë proces, në frymën e kompromisit, për të arritur marrëveshje gjithëpërfshirëse, ligjërisht obliguese.
“Kjo marrëveshje duhet të adresojë të gjitha çështjet e hapura dhe të kontribuojë në stabilitetin rajon. Kjo është kyçe në mënyrë që Kosova dhe Serbia të mund të përparojnë në rrugëtimin e tyre përkatës evropian”, thuhet në draftin e konkluzave.
“Këshilli përsërit pritjet e fuqishme që të gjitha marrëveshjet e arritura në të kaluarën të respektohen dhe zbatohen pa vonesa. Të dyja palët duhet po ashtu të shmangin veprimet që dëmtojnë stabilitetin dhe retorikën, e cila nuk është e favorshme për dialogun”, thuhet në draftin e konkluzave.
Gjatë së martës, disa ministra kanë kërkuar që BE-ja të bëjë më shumë për rajonin e Ballkanit Perëndimor.









