Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës ka renditur disa kërkesa që duhet të plotësohen nga Lëvizja Vetëvendosje nëse do ndihmën e saj për formimin e institucioneve.
Kryetari i AAK-së, Ardian Gjini, ka thënë se partia e tij nuk synon pjesëmarrje në qeveri, por se ka disa kërkesa nëse dikush i kërkon ndihmë.
Gjashtë kërkesat që Gjini i paraqiti për institucionet e reja:
1. Orientimi strategjik dhe gazi amerikan: Pranimi i menjëhershëm i projektit të gazit amerikan si një projekt i rëndësisë jetike për orientimin afatgjatë të shtetit.
2. Pavarësia energjetike: Nisja e menjëhershme e procedurave për ndërtimin e termocentralit me thëngjill, për të garantuar zhvillim ekonomik dhe ulje të inflacionit.
3. Lehtësime për bizneset e vogla: Ngritja e menjëhershme e pragut të TVSH-së nga 30,000 në 100,000 euro, për të çliruar potencialin e ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme.
4. Mbështetje për bujqësinë: Lirimi i plotë i tokës së punuar nga tatimi në pronë, me qëllim nxitjen e punimit të tokës dhe përkrahjen direkte të bujqve.
5. Buxhetimi i infrastrukturës: Financimi i plotë buxhetor i projekteve të infrastrukturës jetike në Kosovë, të cilat aktualisht kanë mbetur të pezulluara në mungesë të mjeteve.
6. Fondi emergjent për kryeqytetin: Ndarja e 800 milionë deri në 1 miliard eurove për Prishtinën, e cila, sipas tij, po bëhet e pajetueshme në mungesë të investimeve kapitale.
“Ne e mbështesim cilëndo marrëveshje mes partive. Në një vend normal, me politikanë të përgjegjshëm, nuk do të ishte fare e rëndësishme se a zgjidhet së pari presidenti apo qeveria. Kur kjo bëhet temë bllokade, është shkelje e kushtetutës”, ka thënë Gjini, duke shtuar se pikat mbeten të panegociueshme për mbarëvajtjen e procesit.
Duke iu përgjigjur pyetjeve të gazetarëve, për mundësinë e kandidimit të Ramush Haradinajt për president ai tha se nuk e kanë vendosur si kusht, por se ai do të ishte president më i mirë.









