Këto janë temat që do t’i diskutojë Merkeli me krerët e gjashtë shteteve të BP-së në Tiranë

Pak para përfundimit të mandatit të saj, kancelarja gjermane Angela Merkel (CDU) do t’i vizitojë shtetet e Ballkanit Perëndimor.

Sipas një deklarate të Qeverisë gjermane të bërë të mërkurën, kancelarja dëshiron të zhvillojë bisedime në kryeqytetin serb Beograd të hënën, ndërsa të martën ajo do të qëndrojë në kryeqytetin shqiptar, Tiranë. Programi përfshin një raund bisedimesh me krerët e qeverive të të gjitha gjashtë shteteve të Ballkanit – veç Serbisë dhe Shqipërisë, edhe me krerët e Kosovës, Malit të Zi, Maqedonisë Veriore dhe Bosnjë e Hercegovinës, raporton portali “Nau”.

Kur e paralajmëroi udhëtimin, zëdhënësja e Qeverisë gjermane, Martina Fietz, theksoi “përkushtimin special” të kancelares ndaj shteteve të Ballkanit Perëndimor. Me kërkesë të Merkelit, Gjermania kishte nisur takime vjetore mes shteteve të Ballkanit Perëndimor që nga viti 2014. Sipas Qeverisë Federale, qëllimi i kancelares është që të bëjë kontribute konkrete ndaj stabilitetit të këtyre fqinjëve të menjëhershëm të BE-së dhe ndaj dialogut paqësor të të gjitha palëve të përfshira.

Sipas Fietzit, Merkeli fillimisht do të takojë presidentin serb Aleksandar Vuçiq në Beograd për një takim bilateral. Planifikohet edhe një konferencë për media pas takimit. Në mbrëmje, kancelarja do të takojë në Beograd edhe përfaqësues të shoqërisë civile nga të gjitha shtetet e Ballkanit Perëndimor.

Në Tiranë, Merkeli dëshiron të bisedojë bilateralisht me kryeministrin Edi Rama të martën, takim ky që do të pasohet me një raund takimesh me krerët e të gjitha gjashtë shteteve të Ballkanit Perëndimor. Edhe këtu është planifikuar një konferencë për media.

Pritet që takimet do të fokusohen në afrimin me BE-në, për çështjet ekonomike dhe bashkëpunimin rajonal, tha Fietzi.

Merkeli për herë të fundit është konsultuar me krerët e gjashtë qeverive në fillim të muajit korrik.

Pas këtij takimi Merkeli pati thënë se në rrugën drejt anëtarësimit në BE për shtetet e BP-së ka ende “një sërë vështirësish”.

Ajo përmendi, për shembull, mosmarrëveshjen mes Serbisë dhe Kosovës, sistemin zgjedhor në Bosnjë e Hercegovinë dhe mosmarrëveshjen e Maqedonisë së Veriut rreth çështjeve kulturore dhe historike me anëtarin e BE-së, Bullgarinë.

Këtu ka nevojë ende për “shumë përkushtim dhe për shumë durim”.


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu