Kim Mehmeti: VMRO dhe LSDM nuk dallojnë në raport me shqiptarët

Shkrimtari shqiptar Kim Mehmeti tërheq vëmendjen se nuk ka ndonjë dallim esencial mes VMRO-së dhe LSDM-së lidhur me shqiptarët. Ai thotë se dallimi është vetëm formal, por se politikat e gabuara të BDI-së kanë krijuar hamendje të gabuar te disa shqiptarë se ndoshta është më mirë nëse anëtarësohen në ndonjë parti maqedonase.

“Është e qartë se BDI-ja na solli në situatë të hamendemi se ndoshta më mirë është të gjithë sa jemi, vullnetarisht të anëtarësohemi në ndonjë parti maqedonase, se sa drejtuesit e saj, të na çojnë te VMRO-DPMNE-ja! Por mbetet e paqartë se si aq shpejtë harruam se kur bëhet fjalë për kërkesat shqiptare, dallimi mes LSDM-së dhe DPMNE-së, nuk ka të bëjë me përmbajtjen, por me formën! Dhe pa i gjykuar, e as paragjykuar, duhet pyetur simpatizantët dhe anëtarët ‘krenarë’ shqiptarë të LSDM-në se vallë është e mundur aq ta kenë humbur besimin te çdo gjë shqiptare, sa t’i nënshtrohen bindjes (që nuk dallon me asgjë nga ajo e krerëve të BDI-së) se pa u bërë ‘shërbëtor’ i ndonjë lideri maqedonas, kot e ke të merresh me shqiptarinë!?”, vlerëson Mehmeti.

Ai shton se shqiptarët para se të vendosin të anëtarësohen në LSDM, duhet pyetur vetveten se pse Zaev nuk e publikoi bombën për rastin “Monstra”.

“Pastaj, pa të keq dhe miqësisht, ata duhet pyetur: pse lideri i tyre e heshti ‘bombën’ për ‘Monstrën’, dhe mos vallë kështu e vazhdon traditën e partisë së vet, që stabilitetin e shtetit ta ruaj duke flijuar shqiptarët!? Shqiptarët e “LSDM-së’, që me asgjë nuk i konsideroj më pak patriotë se cilido shqiptar tjetër, do ishte mirë të na tregonin se vallë e dinë se rasti i “Sopotit” u kurdis gjatë qeverisjes LSDM-BDI, se po kjo qeveri e trasoi rrugën e relativizmit të Marrëveshjes së Ohrit, se pas mëvetësimit të Maqedonisë, qeveritë e LSDM-së ishin ato që e hapën rrugën e antishqiptarizmit institucional, çka e çoi vendin drejt konfliktit të 2001…!? Dhe do ishte mirë ata të na ndihmonin ta kuptonim si është e mundur ta forcosh shqiptarinë me një parti ‘qytetare’ si LSDM-ja, por e cila kurrë nuk u distancua, kurrë publikisht nuk hoqi dorë dhe kurrë nuk kërkoi falje për zbatimin thuajse dy dekadash të një politike në thelb antishqiptare!”, thekson shkrimtari i njohur shqiptar, Kim Mehmeti.


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu