Klopp ngre në qiell Alisson: Ta dija sa i mirë ishte, do të kisha paguar dyfish!

Jurgen Klopp ka përshëndetur “heroizmin” e Alisson në ndeshjen dramatike të Ligës së Kampionëve, që Liverpool e fitoi mbrëmë ndaj Napolit. Trajneri i “Reds”, madje ka pretenduar edhe diçka tjetër: “Nëse do ta dija se sa i mirë ishte, do të kisha paguar dyfish”.

Braziliani për pak kohë u bë portieri më i shtrenjtë në futbollin botëror, kur përfundoi transferimin prej 65 milionë paundësh gjatë verës. Ai nuk e ka vuajtur fare presionin që i vinte nga Kepa Arrizabalga, i cili kaloi te Chelsea për 71 milionë paundë.

Alisson ka pësuar më pak gola se rivalët e tij në Premier League, ndërkohë që e ka ndihmuar Liverpool-in të kualifikohet në fazën me eliminim direkt të Champions-it. Klopp i tha “Viasport”: “Portieri bëri pritjen shpëtimtare të sezonit. Unë nuk kam asnjë ide se si ai e bëri atë… Faleminderit Zotit, që e kemi. Nëse do ta dija se sa i mirë ishte, do të kisha paguar dyfish. Mendoj se askush nuk mund ta priste atë top, në atë situatë”.

Alisson arriti të bllokonte topin e goditur nga Milik, pasi sulmuesi i Napolit kishte shkuar përtej mbrojtjes së Liverpool dhe gjeti hapësirë, pak metra larg portës vendëse. Klopp pranoi se ka vuajtur në këtë sfidë delikate: “Pas 65 minutash, loja ishte me të vërtetë e egër. Kundërsulm, kundërsulm… Portieri Alisson bëri që unë të mos kisha fjalë. Ishte shpëtimi ynë. Ajo që bëri ishte e pabesueshme, kurrë nuk kam parë ndonjë gjë të tillë”.


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu