Koreja e Veriut akuzoi administratën e presidentit të SHBA-së, Joe Biden për ndjekjen e politikës armiqësore ndaj saj.
Sipas lajmit të Yonhap, kreu i Departamentit për çështjet me SHBA-në në Ministrinë e Jashtme të Koresë së Veriut, Kwon Jong Gun ka theksuar se Biden ka bërë “gabim të madh” duke e cilësuar si një kërcënim serioz programin bërthamor të Phenianit.
“Biden me deklaratat e tij tregon se SHBA-ja ka për qëllim të vazhdojë politikën armiqësore kundër Koresë së Veriut”, deklaroi Kwon i cili ka paralajmëruar SHBA-në se mund të përballet me një krizë më të keqe të pakontrollueshme.
Presidenti amerikan Biden ka thënë se programi bërthamor i Koresë së Veriut është një kërcënim serioz” për sigurinë globale.
Zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë, Jen Psaki ka njoftuar se kanë përfunduar rishikimin e politikës lidhur me Korenë e Veriut dhe se objektivi i administratës është pastrimi i plotë i Gadishullit të Koresë nga armët bërthamore.









