Kosova humbi rastin: G20 nuk do të financojnë termocentrale të reja me thëngjill, por nuk i mbyllin të vetat

Kosova e ka humbur mundësinë e mbështetjes financiare nga jashtë për ndërtimin e termocentralit të ri me thëngjill, e kjo u konfirmua edhe pas samitit të fundit të vendeve G20-ës të dielën, më 31 tetor. Liderët e shteteve G20 (19 shtete dhe BE-ja) janë zotuar të ndalojnë financimin ndërkombëtar të impianteve të reja të thëngjillit deri në fund të këtij viti. Megjithatë, liderët e G20-ës nuk ranë dakord për t’i dhënë fund energjisë së qymyrit në vendet e tyre.

Thëngjilli është njëri nga burimet kryesore për prodhimin e energjisë elektrike në Kosovë. Për shkak të vjetërsisë së termocentraleve Kosova A dhe Kosova B në Obiliq, si dhe kapaciteteve të limituara të tyre, vendimi për ndërtimin e një termocentrali të ri është marrë që në vitin 2005.

Një përpjekje për të ndërtuar termocentralin e ri ka rezultuar pa sukses, pasi që kompania amerikane “ContourGlobal” më 2020, në vitin kur planifikohej të fillonte ndërtimin, është tërhequr me arsyen se kompania nuk e ka ndërmend të ndërtojë projekte me thëngjill në të ardhmen, por po ashtu ishin theksuar edhe ndryshimet politike që kishin ndodhur në Kosovë në atë kohë. Në atë kohë, drejtimin e qeverisë kishte marrë Albin Kurti. Lëvizja e tij, Vetëvendosje, është shprehur kundër marrëveshjes me “ContourGlobal”, duke thënë se kompania në fjalë mund të rrisë çmimin e faturuar për shpenzimin e energjisë elektrike. Ai kishte shtuar në një intervistë asokohe se thëngjilli është një e keqe për Kosovën që duhet hequr sa më parë.

Ndërtimi i këtij termocentrali me kapacitet 500 megavat, llogaritej të kushtonte 1.3 miliardë euro. Një investim i tillë i kësaj kompanie kërkonte garancinë shtetërore, të miratuar në Kuvendin e Kosovës me 2/3 e votave të deputetëve.

Në vitin 2018, Banka Botërore pati njoftuar se nuk do ta mbështesë Termocentralin “Kosova e Re”, të ndërtuar për energji me thëngjill.

Investimet në ndërtimin e termocentralit të ri tashmë duhet të bëhen nga vetë buxheti i shtetit, vlerëson ish-drejtori në Korporatën Energjetike të Kosovës, Arben Gjuka.

Kur flas për djegie të qymyrit, flas për përdorimin e teknologjisë më të avancuar dhe të pastër që nënkupton ndotje dhe efekte anësore minimale. Shteti ka mundësi të bëjë investime në këtë. Ne kemi shembullin e ndërtimit të autostradave, ku i kemi ndërtuar me para të buxhetit. Nëse do të kishim një prioritizim të parasë publike, deri tani ishte dashur ta kemi termocentralin”, thotë Gjuka.

Dy autostradat, njëra që lidh Kosovën me Shqipërinë dhe autostrada Prishtinë –Shkup, ishin ndërtuar me para të buxhetit të shtetit dhe kishin kushtuar rreth 1.3 miliardë euro. Kryetari i Komisionit për ekonomi, industri, ndërmarrësi dhe tregti në Kuvendin e Kosovës, Ferat Shala, thotë për Radion Evropa e Lirë se Kosova duhet ta ketë një qëndrim të qartë me resurset e veta, siç është linjiti.

Ende ka hapësirë, ende ka mundësi dhe teknologji, që edhe e shfrytëzojnë linjitin edhe fitojmë energji dhe jemi në minimum të ndotjes së ajrit, por për të arritur në këtë, qeveria nuk ka krijuar asnjë hap strategjik. Jemi vonuar dhe jemi larg planifikimit energjetik”, thotë Shala.

Ministria e Ekonomisë deri në publikimin e këtij shkrimi nuk ka kthyer përgjigje rreth së ardhmes energjetike të Kosovës, pas deklarimeve të vendeve të G20-ës se nuk do të investojnë më në projektet energjetike me thëngjill shkruan Radio Evropa e Lirë.

Raporti i Progresit për Kosovën (2021) kishte vënë në pah përparimin që ka bërë Kosova sa i përket përmirësimit të infrastrukturës rrugore dhe rritjes së investimeve në energjinë e ripërtërishme, por “burimet e energjisë me bazë në thëngjill vazhdojnë të jenë shqetësuese”. Kosova ka më shumë se 10 miliardë tonelata thëngjill dhe si e tillë është vendi i pestë në botë për nga sasia e këtij resursi.

Sasinë më të madhe të energjisë elektrike, Kosova e prodhon nga djegia e thëngjillit në termocentralet e Obiliqit.

Sipas të dhënave të Zyrës së Rregullatorit të Energjisë (ZRRE), kapaciteti total i gjenerimit të energjisë elektrike në Kosovë në vitin 2020 ka qenë 1,110 megavatë. Nga kjo sasi 86.5 për qind janë nga termocentralet dhe pjesa tjetër janë hidrocentrale dhe burimet të ripërtërishme të energjisë (hidrocentrale, centrale me erë dhe panele fotovoltaike).


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu