Kovaçevski do të jetë kryeministër edhe një ditë! Të enjten dorëheqje, të dielën zgjidhet qeveria teknike

Të enjten kryeministri Dimitar Kovaçevski duhet ta deponojë dorëheqjen e tij, e me këtë edhe e gjithë Qeveria, kurse seanca kuvendore në të cilën duhet të konstatohet dorëheqja pritet të mbahet të premten. Me këtë praktikisht kryeministrit i mbetet edhe vetëm një ditë në postin e të parit të Qeverisë, por deri në zgjedhjen e Qeverisë teknike që duhet të ndodhë deri të dielën në mesnatë, Kovaçevski dhe ministrat do t’i ushtrojë detyrat e tyre. Lidhur me paralajmërimet se ministrat e VMRO-DPMNE-së nuk do të votohen në Qeverinë teknike, me çka lihet hapësirë për një krizë të re politike, Kovaçevski thotë se ka kohë deri të dielën për të arritur një marrëveshje.

“Deri të dielën ka kohë të mjaftueshme, kjo ishte përgjigjja ime, të gjitha gjërat të dakordohen dhe të dielën të votohet Qeveria teknike me të cilën do të mbahen zgjedhje demokratike. Prandaj, po them se ka mjaft kohë, sepse të gjithë duhet të jenë seriozë, nuk mundet dikush të sillet si fëmijë 13-vjeçar – unë do të propozoj dhe nuk do të votoj, nuk do ta votojë atë, nuk do ta votojë këtë. Domethënë, secili duhet të jetë serioz. Askund në botë nuk ka praktikë që të propozoni ministra, e dikush tjetër t’i votojë ata”, tha Dimitar Kovaçevski, kryeministër.

Por, sa dallon kjo situatë nga viti 2016, kur u votua Qeveria e parë teknike pas arritjes së Marrëveshjes së Përzhinës, duke marrë parasysh se aso kohe deputetët e LSDM-së nuk hynë në seancën parlamentare?

“Kushtet ishin ndryshe atëherë. E dini se Kuvendi u keqpërdor nga ana e pushtetit. Ju kujtohet se gjatë miratimit të buxhetit, deputetët e LSDM-së u përzunë jashtë Kuvendit dhe ishin kushte të tjera. Qeveria e Përzhinës u vendos pikërisht për shkak se nuk kishte demokraci në vend. E për këtë arsye, mendoj se tani të gjitha partitë politike duhet ta mbështesin këtë Qeveri në përputhje me ligjin, veçanërisht për shkak se bëhet fjalë për një mandatar që ka qenë ministër në kohën e VMRO-DPMNE-së”, deklaroi Dimitar Kovaçevski, kryeministër.

VMRO-DPMNE-ja gjatë ditëve në vijim duhet të mbajë seancë brenda organeve partiake dhe t’i propozojë emrat që do të jenë ministra dhe zëvendësministra teknikë. Nga kjo parti përmes një kumtese, dërguan kritika në adresë të Qeverisë së deritanishme.

“Dimitar Kovaçevski, një ditë para largimit nga posti i kryeministrit, në vend që të marrë guxim dhe t’u kërkojë falje qytetarëve për të gjitha gënjeshtrat, manipulimet dhe padrejtësitë, zgjodhi të gënjejë. Në vend të një viti të mundësive evropiane, për Qeverinë e LSD-së dhe BDI-së viti 2023 ishte viti i krimit, korrupsionit, skandaleve, aferave, tenderëve, njëjtë sikur 8 vitet e fundit”, thonë nga VMRO-DPMNE.

Me dorëheqjen e Kovaçevskit dhe zgjedhjen e Qeverisë teknike, edhe zyrtarisht nisin 100 ditët para mbajtjes së zgjedhjeve parlamentare.


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu