KQZ tregon pse u refuzuan mbi 1200 vota nga jashtë

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, ka refuzuar për numërim mbi 1 mijë e 200 vota të ardhura nga jashtë.

Valmir Elezi, zëdhënës i KQZ-së i tha “Gazeta Blic” se arsyet e refuzimit të tyre janë të ndryshme, por dominojnë me mungesën e dëshmisë si votues në istën votuese jashtë Kosovës.

Nuk janë të pakët nga ato raste që nuk kanë dërguar dokument indentifikimi me fletëvotimin, raporton GazetaBlic.

“Pas vendimit të Gjykatës Supreme, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka filluar me procedimin konform vendimit të kësaj gjykate.

Fillimisht, meqenëse bëhet fjalë për fletëvotime nga jashtë vendit, kemi filluar me procesin e vlerësimit të pakove të supozuara me fletëvotime. Procesi i vlerësimit është i domosdoshëm pasi vetëm në këtë mënyrë ne arrijmë të vërtetojmë nëse pakoja me fletëvotim është dërguar nga personi i regjistruar suksesshëm si votues jashtë vendit.

Gjithashtu, në këtë proces ne arrijmë të dijmë nëse brenda një dërgese ka më shumë se një pako me fletëvotime.

Pra, duke u mbështetur në vendimin e Gjykatës Supreme, janë vlerësuar
4 mijë e 639 pako të supozuara me fletëvotime dhe në fund kemi 5 mijë e 882 pako me fletëvotime të individualizuara. Pas vlerësimit të tyre janë aprovuar 4 mijë e 670, ndërsa janë refuzuar 1 mijë e 212.

Arsyet e refuzimit të tyre kategorizohen në 5 grupe si në vijim:

• 535 raste kur kanë dërguar pako me fletëvotime persona që nuk janë regjistruar suksesshëm si votues në listën votuese jashtë Kosovës;
• 115 raste janë kur kanë dërguar pako me fletëvotime persona që janë refuzuar për t’u regjisturar si votues jashtë Kosovës;
• 128 raste të tjera që kanë dërguar fletëvotime persona që nuk kanë dërguar kopje të dokumentit për t’u identifikuar;
• 159 raste kur personat kanë dërguar fletëvotime më shumë se një herë; dhe
• 275 raste kur personat që kanë dërguar fletëvotime kanë pasur kopje të dokumentit me afat të skaduar”, ka thënë Elezi.

Sipas tij,  vetëm zarfet e supozuara me fletëvotime do të numërohen në QNR, e që janë gjithsejt 4 mijë e 670./Gazeta Blic/


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu