Krasniqi: Asociacioni duhet të jetë pjesë e marrëveshjes që rezulton me njohje reciproke

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi tha në një intervistë më Zërin e Amerikës se Asociacioni i komunave me shumicë serbe duhet të jetë pjesë e marrëveshjes të përgjithshme me Serbinë e cila çon në njohjen e ndërsjellë. Ai tha se propozimi evropian i mbështetur nga Shtetet e Bashkuara për një marrëveshje pa njohje, nuk mund të jetë i pranueshëm sepse do të mund të krijonte një status-quo të re.

Në intervistën me korrespondentin tonë, Besim Abazi, zoti Krasniqi tha se bllokadat aktuale në veriun e Kosovë janë vendosur para së gjithash për ta penguar procesin e bisedimeve Kosovë Serbi për një marrëveshje përfundimtare.

Zoti Krasniqi, si e vlerësoni situatën aktuale në veriun e Kosovës?

Memli Krasniqi: Situata në pjesën veriore të Kosovës është jashtëzakonisht problematike, ka një përkeqësim të gjendjes sidomos pas vendosjes së barrikadave nga grupet kriminale, të cilat janë të kontrolluara dhe orkestruara drejtpërdrejtë nga qarqet më të larta në Serbi, duke përfshirë edhe vet presidentin (Aleksandar) Vuçiç. Ka një tensionim të situatës dhe nga të gjitha informacionet që marrim këto ditë, shihet se nuk ka një zgjidhje të lehtë dhe nuk duket se mund të ketë një përmirësim dhe një kthim në normalitet shumë shpejt, kjo është shumë shqetësuese.

Cila është sipas jush zgjidhja në këtë situatë?

“Shikoni, problemi kryesor i kohëve të fundit në raport me Serbinë por edhe me gjithçka që ndërlidhet me dialogun është se ne po flasim për konsekuencat kur po ndodhin ato. Ne po merremi me konsekuencat dhe po harrojmë pastaj se si ka ardhur deri këtu dhe cilat janë burimet e këtyre problemeve.

Këto barrikada por edhe problemet tjera që kanë ndodhur veçanërisht gjatë muajit nëntor, nuk do të ndodhnin sikur të kishte një vizion të qartë në qeverinë e Kosovës dhe te kryeministri (Albin) Kurti për rrugën përpara dhe për trajtimin e dialogut, para së gjithash duke marrë për bazë kërkesat dhe rekomandimet e partnerëve ndërkombëtarë, para së gjithash të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Sikur ne në muajin tetor të kishim racionalitet në qeveri, sikur kryeministri Kurti të dëgjonte kërkesën amerikane për të shtyrë çështjen e tabelave të veturave për dhjetë muaj, do të kishim një zhvillim tjetër, nuk do të hynte në këto aventura të cilat kanë krijuar problem pas problemi. Andaj po, duhet të merremi me konsekuencat aktuale dhe duhet të shohim përpara për zgjidhjet që vlejnë dhe që kthejnë normalitetin e ruajnë sigurinë në veri, por nuk mund të mos e rikujtojmë burimin e këtyre problemeve dhe zinxhirin e gabimeve që kanë rezultuar nga papërgjegjësia e kryeministrit tonë.“- tha Memli Krasniqi.


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu