Pas prezantimit të njëvjetorit të punës së kryetarit të Komunës së Dibrës, Fisnik Mela, kanë pasuar reagime mes BDI-së dhe përfaqësuesve të VLEN-it.
BDI – Dega Dibër, përmes një postimi në Facebook me titull “1 vit farsë dhe përvetësim meritash në Dibër”, ka akuzuar pushtetin aktual për përvetësim të meritave të qeverisjes së kaluar.
Sipas BDI-së, asfaltimi i bulevardit, rruga e Kërçovës, rrugët në Budulec, Kosovrast, Otishan e Konjarë, si dhe ujësjellësi në Mogorçë, janë projekte të nisura ose financuara gjatë qeverisjes së mëparshme.
“E sfidojmë publikisht Fisnik Melën: le të bëjë publike qoftë edhe një kontratë apo projekt të vetëm kapital të nënshkruar nga dora e tij në këtë mandat”, thuhet në reagimin e BDI-së.
Këtij reagimi i është kundërpërgjigjur Lumi Croj, i angazhuar në Komunën e Dibrës, i cili ka theksuar se rëndësi kanë punët e realizuara dhe jo vetëm dokumentet e nënshkruara.
“Letra dhe nënshkrime në sirtarë ka plot, por punët që prekin dhe shfrytëzojnë qytetarët është vula e Fisnik Mela dhe VLEN”, ka shkruar Croj.
“Nëse ju duen fletë me nënshkrime ua japim, punët i realizojmë ne. Se kishit kohë 20 vite për ti realizuar por i latë në sirtarë, të plurosen”, ka shtuar ai. /InfoShqip.com










