Krepa të mbushur me spinaq, receta që bën bashkë gjithë familjen

Përbërësit për 12 krepa mesatarë për 4-6 persona: 3 kokrra vezë, 250 g miell, 500 ml qumësht i vakët, kripë.

Për mbushjen: 250 g gjizë,150 g djathë i bardhë, 500 g spinaq i larë dhe i grirë, kripë.
Përbërësit për beshamelin: 500 ml qumësht, 50 g miell, 50 g gjalpë, 1 e verdhë veze.
Për t’i spërkatur sipër përpara se t’i fusim në furrë duhen: 1 lugë gjalpë i tretur dhe 60 g djathë Parmigiano i grirë.

Përgatitja: Në një tas rrahim vezët me pak kripë, shtojmë qumështin dhe miellin dhe vazhdojmë t’i përziejmë derisa të përftojmë një përzierje homogjene. Më pas e lëmë të pushojë 30 minuta. Ngrohim në temperaturë jo shumë të lartë, një tigan të sheshtë që nuk ngjit, të lyer me pak gjalpë, ndërsa me letër kuzhine heqim yndyrën e tepërt, pasi krepat nuk kanë nevojë për shumë yndyrë. Hedhim në tigan 1 garuzhde me brumë, jo të mbushur plot, dhe skuqim krepat nga të dyja anët për 1 minutë. Vazhdojmë kështu derisa të përfundojë i gjithë brumi. Krepat mund t’i përgatisim edhe një ditë më parë, në këtë rast pasi t’i skuqim i ndajmë nga njëri-tjetri me letër pjekjeje ose letër alumini. I vendosim në një pjatë të madhe, i mbulojmë me plastmasë kuzhine dhe i ruajmë në frigorifer deri në momentin që do t’i përdorim.

Përgatisim mbushjen: Në një tenxhere me ujë dhe kripë që po zien, hedhim spinaqin dhe e lëmë për pak minuta derisa të zbutet. E heqim, e kullojmë dhe e shtrydhim mirë për t’i hequr ujin e tepërt. Në një tas përziejmë spinaqin e vakët me gjizën dhe djathin e thërrmuar. Marrim krepat dhe në secilin prej tyre vëmë pak nga mbushja, i mbështjellim si role dhe i vendosim në një tavë të lyer më parë me pak gjalpë, por nuk duhet t’i vëmë shumë pranë njëri-tjetrit.

Përgatitja e beshamelit: Në një tenxhere të vogël hedhim miellin dhe qumështin, i përziejmë mirë me rrahësen e vezëve për të eliminuar kokrrat që mund të krijohen nga mielli dhe e vëmë tenxheren në flakë me nxehtësi të ulët, duke e përzier vazhdimisht. E lëmë për 2-3 minuta dhe pasi të marrë valë, e heqim nga zjarri, shtojmë gjalpin në copa të vogla dhe të verdhën e vezës. E përziejmë sërish me shpejtësi me rrahësen e vezëve.

Më pas, mbi krepa hedhim me lugë beshamelin, i spërkasim sipër me djathin e grirë dhe me gjalpë të tretur. I pjekim për 20 minuta në furrën e ngrohur paraprakisht, dhe më pas, për 10 minuta të tjera në opsionin “grilë” ose derisa të marrin ngjyrë në sipërfaqe. I shërbejmë të vakëta.

Nga LINDA FISHTA


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu