Krerët serbë të komunave veriore takojnë kreun e KFOR, paralajmërimi i Rakiç

Kryetari i Listës Serbe, Goran Rakiç dhe kryetarët serbë të komunave veriore të Kosovës, Milan Radojeviç, Zoran Todiç, Srgjan Vuloviç dhe Dragisha Miloviç janë takuar sot me komandantin e KFOR-it, Ferenc Kajari.

Goran Rakiç mësohet të jetë shprehur se pala serbe është e vendosur të punojë për tejkalimin e tensioneve, por vendimet e njëanshme sipas tij e komplikojnë më tej situatën, shkruan agjencia e lajmeve Tanjug.

”Ne jemi të vendosur që si përfaqësues legjitimë të serbëve të punojmë në zgjidhje që do të tejkalojnë tensionet, por për një gjë të tillë duhet konstruktivitet edhe te palët e kundërta, që nuk është shembull tani, por duke marrë vendime të njëanshme dhe me këmbëngulje në zbatim, situata komplikohet edhe më shumë”, citon Tanjug të kenë thënë Goran Rakiç dhe kryetarët e komunave veriore.

Mes tjerash Rakiç dhe kryetarët e komunave kanë kërkuar nga KFOR-i garanci për mospërshkallëzimin e situatës në Kosovë.

”Ruajtja e paqes dhe stabilitetit është qëllimi ynë parësor, andaj KFOR-i duhet të mbetet garant se situata e sigurisë në Kosovë nuk do të përshkallëzohet, për shkak të mosmarrëveshjes me Prishtinën dhe njoftimit se pas 1 shtatorit, vendimi për riregjistrimin e automjeteve dhe lëshimi i dokumenteve të hyrjes dhe daljes do të vazhdojë”, ka thënë Rakiç.


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu