Krijohet ushtria e Kosovës, shqiptarët e Maqedonisë festojnë

Shqiptarët e Maqedonisë e mirëpresin formimin e Ushtrisë së Kosovës që sot pritet të miratohet nga Kuvendi kosovar. Këtë vendim, partitë shqiptare në Maqedoni e quajnë e quajnë si shumë të rëndësishëm për stabilitetin e gjithë rajonit. Në deklaratën e tij për Gazetën Lajm, kreu i Aleancës për Shqiptarët Zijadin Sela, këtë moment e ka krahasuar me shpalljen e pavarësisë së Kosovës.

“Reagimet e Serbisë asnjëherë s’kanë qenë në të mirë të shqiptarëve, as dje, as sot, por as nesër. E rëndesishme është sa jemi të gatshëm t’ju përgjigjemi reagimeve të saj. Pikërisht në funksion të kësaj gatishmërie, formimi i Ushtrisë së Kosovës është shumë i rëndësishëm për Kosovën, shqiptarët dhe rajonin në përgjithësi. Ashtu siç pavarësia e Kosovës e bëri rajonin më stabil edhe formimi i ushtrisë së saj do të forcojë akoma më shumë këtë gjë. Nesër merr kuptim shteti, pavarësia. Nesër liria e qytetarëve të Kosovës bëhet më e sigurtë”, thekson Sela.

Nënkryetari i Lidhjes Social Demokrate të Maqedonisë (LSDM), Muhamed Zeqiri prêt që formimi i ushtrisë së Kosovës do të kontribuojë në stabilitetin e rajonit.

“Kosova përmes ushtrisë së sajë në të ardhmen do të kontribuojë edhe ne stabilitetin më gjërë në vendet e krizës në botë duke u përfshirë në misionet paqësore të NATO-s dhe shpresojmë shumë shpejtë edhe vendet tjera të rajonit përfshirë edhe Kosovën të bëhem anëtare të Aleancës veri- atlantike”, tha Zeqiri.

Sa i përket qëndrimit të Serbisë, Zeqiri thotë se sa më shpejtë që e kuptojnë realitetin aq më mirë do të jetë për ata dhe gjithë rajonin.

Orhan Murtezani nga Lëvizja BESA thotë se formimi i ushtrisë së Republikës së Kosovës është një mirënjohje për popullin e Kosovës, duke marrë parasyshë faktin që kjo po bëhet me dakordimin e aleatit më të madh të shqiptarëve, SHBA-ve.

“Sa i takon sigurisë rajonale, jemi të bindur se kjo ushtri do të jetë në frymë të ruajtjes së paqes, stabilitetit dhe bashkëpunimit atlantik. Maqedonia dhe Kosova janë orientuar drejt NATO-s dhe kjo i bën të kenë agjendë të përbashkët të sigurisë dhe stabilitetit”, deklaroi Murtezani për Lajm.

Sa i përket reagimit të Serbisë, Murtezani thotë se është e pritur prej tyre qëndrimi dhe dihet për qëndrimin që e kanë. Por, kjo sipas Murtezanit ka pak rëndësi.

Nga krahu tjetër, Fadil Zendeli, deputet i Lëvizjes Besa në Kuvendin e RM-së, thotë se formësimi i një shteti merr kuptimin e plotë atëhere kur ka edhe institucionet e veta të plota.

“Krijimi i ushtrisë është një nga kushtet kryesore të funksionimit të një shteti. Prandaj edhe krijimi i ushtrisë të Kosovës është nevojë e cila do rrumbullakon procesin e formësimit të shtetit të Kosovës si Republikë e pavarur dhe sovrane”, thotë fillimisht Zendeli duke shtuar se sa më shpejt që Sërbia pajtohet me këtë realitet do jetë në funksion të garantimit të paqes dhe stabilitetit në rajon.

Sipas Zendelit, fomimi i Ushtrisë së Kosovës nuk do të sjellë ndonjë ndikim apo efekt negatev në Maqedoni.

“Sa i përket krijimit të ushtrisë së Kosovës në raport me Maqedoninë nuk do ketë asnjë efekt negativ përkundrazi dy shtete me dy ushtritë e tyre mund të garantojnë sigurinë dhe paqen në këto hapësira”, përfundoi Zendeli.

Për çështjen e formimit të ushtrisë Gazeta Lajm, drejtoi pyetje edhe në dikasterin e Qeverisë së Maqedonisë, për disa arsye nga atje nuk arritëm të marrim përgjigje. Por gjithsesi zëdhënësi Muhamed Hoxha na premtoi se gjatë ditëve në vijim do të na përgjigjet.

Pro formimit të Ushtrisë së Kosovës janë deklaruar Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Shqipëria dhe shumë vende tjera, ndërkaq kundër të njëjtës është shprehur, shteti serb duke reaguar ashpër.

Ambasadori Dedaj: Formimi i ushtrisë kosovare sukses i madh për rajonin

Ambasadori kosovar në Shkup, Gjergj Dedaj, në intervistën e tij për Lajm.Tv ka theksuar se ushtria e Kosovës po formohet me ndihmën e parezervë të SHBA-vë dhe NATO-s. sipas Dedajt, formimi i ushtrisë së Kosovës është një nga sukseset më të mëdha të viteve të fundit jo vetëm për Kosovën, por edhe për rajonin në përgjithësi.

“Vërtetë kjo është një ditë historike. Formimi i ushtrisë së Kosovës, respektivisht transformimi i Forcave të Sigurisë së Kosovës në ushtri të Kosovës, është një moment unikat dhe shënon vazhdim të sukseseve të njëpasnjëshme. Prej shpalljes së pavarëisë së Kosovës në vitin 2008, ky është një prej sukseseve më të rëndësishme për shtetin e Kosovës, por unë kujtoj edhe për rajonin, sepse çdo shtet i pavarur duhet të ketë ushtrinë e vet për të pasur stabilitet dhe për të reflektuar stabilitet te fqinjët. Kështu që ushtria e Kosovës është një ushtri e paqes, një ushtri që po bëhet kryesisht me mbështetjen e pa rezervë të aleatit tonë historik, Shteteve të Bashkuara të Amerikës, por edhe vendeve të NATO-s dhe vetë NATO-s. Formimi i ushtrisë së Kosovës është një lajm i mirë që duhet të jetë i gëzueshëm dhe i mirëpritur nga të gjitha vendet e rajonit, nga vendet fqinje dhe nga aleanca e NATO-s. Kjo ushtri një ditë do të jetë anëtare e NATO-s dhe një ditë ajo do t’i kontribuojë paqes jo vetëm në rajon por edhe në nivel global”, ka deklaruar Dedaj.

Ai ka bë apel Serbisë që të mos provojë të shkaktojë ndonjë provokim, duke instrumentalizuar serbët në Kosovë. “Është koha që Serbia edhe de fakto edhe de jure të njohë realitetin e ri në Kosovë me qëllim që të krijohen kushte për pajtim mes dy vendeve”, ka theksuar Dedaj.


1 Koment

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu