Kritika e Berishës ndaj Ramës dhe Arbën Xhaferi që shikon nga lart

Po lexoja pak pasi erdha nga Korça, ku zhvillohej mbledhja e dy qeverive, kritikën e ashpër të Doktor Berishës mbi dëmet që i kish sjellë Rama çështjes së Kosovës. Ishin më duket nja 7 pika, ku përmblidhej e gjithë kjo kritikë.

Pak më vonë, rastësisht, po shihja një foton time me Arbën Xhaferin. Ishte bërë në kohën e pushimit të një konferencë mbarëkombëtare, ku ai për herë të parë hodhi idetë mbi Komunuelthin ekonomik, që duhej për të parë, siç thoshte, mbrothtësinë e Kombit.
Ishte nga referimet e fundit të një Rilindësi, nga ata që mund t’i vendosësh pa frikë në krah të Frashërllinjve të mëdhenj. Në kohën që ai po mbante referimin e tij, m’u kujtua një ngjarje e dhimbshme me një rilindës tjetër, Mitrush Kutelin, që është po ashtu nga ata florinjtë njëzet e katër karatësh për dashurinë e pafundme që shfaqin tërë jetës për Atdheun.

Në kohën e marrëdhënieve të arta me Jugosllavinë e Titos, në cilësinë e ekonomistit (më duket dikur edhe drejtor i Bankës së Rumanisë para lufte dhe pak pas asaj edhe Shqipërisë në kohën e Luftës së Dytë) Mitrushi tha një frazë fatale, që e vendosi njëherë e mirë fatkeqësinë e jetës së tij. – Po bashkuam doganat dhe njësuam lekun tonë me dinarin jugosllav, është njëlloj sikur të shpallim falimentin e Shqipërisë, apo, më keq, pushtimin e saj dhe pa prezencën ushtarake të tjetrit.

Kjo deklaratë e Mitrushit, që po e perifrazoj siç më vjen nëpër mend, apo siç ma ka treguar Dritëroi, kohë më vonë, kur e pyeta për shkakun e fatkeqësisë së tij, nuk kishte si t’i shpëtonte një njohësi të hollë të çështjes kombëtare si Arbën Xhaferi. Dhe këtë ma tregoi po ai vetë, gjatë pushimit në konferencën që përmenda më sipër dhe kur u shtruam të luanim shah të përzier me politikë së bashku.

Të gjitha ndjenjat u përzjenë kur, siç thashë, po lexoja kritikën e doktor Berishës ndaj Edi Ramës. Doktori është në të drejtën e tij në kritikë. Jo vetëm se ka udhëhequr vendin për mjaft kohë në periudhën e tranzicionit, por edhe sepse ka materializuar një vepër praktike, siç është ajo që e quajmë Rruga e Kombit.

Po duke hequr pjesën e propagandës politike, mund të gjykojmë më qetë për idetë e tij, ato të Ramës dhe të Xhaferit, mbi punën për bashkimin real të të dyja pjesëve të Kombit.
Në vija të trasha, Arbëni ishte për ta filluar punën me idetë që bashkonin doganat, për një treg të përbashkët ekonomik, për një abetare të përbashkët, etj.

Berisha, siç thashë më lart, nuk u përzje shumë në këto ide dhe e materializoi idenë e tij me Rrugën e Kombit.

Rama është afër ideve të Arbënit dhe pas njësimit të abetares dhe sistemit arsimor, po përpiqet të materializojë lëvizjen e lirë dhe bashkimin doganor. Akoma kërkon të përfundojë Rrugën e Arbërit…

Për të mos rënë në grackën e militantëve qorra, po e them që në fillim se jam me idetë e Arbën Xhaferit. Në ndryshim nga dy të tjerët, besoj se së pari ai ishte ideolog dhe jo udhëheqës partiak apo kryetar qeverie. Dhe kaq do të mjaftonte për të kuptuar se nuk e përziente idenë kombëtare me pragmatizmin tipik të atij që drejton në praktikë qeverinë.

Po sa janë dy të tjerët në rrugën e hapur nga Arbëni?

Rruga e Kombit është vepër e klasit të parë dhe duket se materializon në formë të drejtpërdrejtë idenë e bashkimit kombëtar. Në këtë pikëpamje, ajo duket se justifikon çdo kosto, përfshirë dhe ato që për disa janë abuzime në vlerë monetare. Po a e realizon në praktikë plotësisht atë që quajmë në një bashkim kombëtar, që në radhë të parë mban në thelb bashkimin ekonomik?

Vetë besoj se jo. Arsyeja është e thjeshtë.

Shqipëria në gjithë kohën e saj, pas luftës së dytë, ka eksporte të para lëndët minerale, kryesisht krom dhe pjesërisht naftë. Nuk do ndonjë logjikë të madhe të kuptosh se eksporti i lëndëve të këtij karakteri kërkon porte, apo hekurudha.

Trasporti i lëndëve të tilla me kamion bëhet inefektiv nëse largësia e transportit i kalon 200 kilometrat nga destinacioni i nisjes. Eksporti kryesor i Kosovës ndaj nesh do të ishte qymyri, ku ajo është vërtet e pasur. Natyrisht që edhe në këtë rast transporti do të ishte i leverdisshëm me hekurudhë dhe jo me kamiona.

Gjykimi i thjeshtë do të kërkonte, pra, që në vend të një rruge të stërmadhe të ndërtoje pjesërisht atë dhe pjesërisht hekurudhën. Kjo lëvizje, jo vetëm do të fuste Shqipërinë në treg, por edhe Kosovën.

Transporti i qymyrëve të saj, që mund të shkonte deri në Vlorë apo Jug të vendit, do të ndihmonte dyfish. Ajo do të rregullonte edhe bilancin energjitik të dy vendeve. Shqipëria e pasur në ujëra, me shumicën e hidrocentraleve në veri, do të ndërtonte centrale me qymyr në jug të saj, duke shmangur edhe humbjet e transportit të energjisë për shkak të distancave të përshkruara nga veriu në jug.

Ndërkaq, ajo do të dilte më shpejt në tregun ndërkombëtar me kromin e saj, apo pasuri të tjera nëntokësore që i ka me bollëk. Mund të shtoje efektivitetin edhe me transportet bujqësore të dy vendeve apo turizmin në verë, etj., etj., operacione më të lehta kur ke në dispozicion hekurudhën.

Në variantin e zgjedhur nga Berisha, rruga e Shqipërisë shkon në Nish nëpërmjet Merdares, rrugë që edhe e bën, edhe nuk e bën Serbia, po t’i shkrepet.

Thua që vërtet po bëjmë ironi?

Nëse do t’i referoheshe tamam Arbën Xhaferit, Rruga kryesore e jona do të ishte e lidhur me korridorin 8, që fuste në lojë edhe hekurudhën edhe portin e Vlorës. Po ta çosh idenë më tutje, një rrugë e tillë do të lidhte Shqipërinë me Kosovën indirekt, po dhe Maqedoninë, prej së cilës mund të hyje ngado nëpër Evropë apo Lindje.

Berisha, me gjasa, apo siç thoshin të tjerët afër tij atë kohë, kërkoi të evitojë hyrjen në tokë të huaj. Pra duke u lidhur drejtpërdrejt me Kosovën dhe jo nëpërmjet Maqedonisë. Një lidhje e tillë në realitet do të thoshte që Korridori 8 të shkonte deri në Gostivar a pak më tutje dhe pastaj në Prishtinë.

Zgjidhja për të mos hyrë në “tokë të tretë”, po direkt në Kosovë, mbyllet në Merdare apo një “tokë e tretë” më e keqe se në atë pjesë të Maqedonisë. Shpenzimet e bëra për Rrugën e Kombit ishin aq të mëdha sa fshinë nga loja Korridorin e 8-të, Portin e Vlorës, llogaritë e kromit dhe qymyrit dhe bashkë me to dhe mosbilancimin energjitik të Kosovës dhe Shqipërisë.

Rama, që duket është më afër ideve të Arbën Xhaferit, të paktën në sistemin arsimor dhe doganat, duket i detyruar, apo edhe ai larg koncepteve të rënda ekonomike, iu drejtua Rrugës së Arbërit. Pasojat e kësaj strategjie janë thuajse të njëjta në shumë plane me atë të Berishës. I vetmi avantazh me këtë rrugë është ndoshta që lidh kryeqytetin më shpejt me kufirin maqedonas. Ndërkohë që këta të fundit, më të qartë se ne, po ndërtojnë atë rrugë që e quajnë si për ironinë tonë me emrin Arbën Xhaferi dhe mbyllet në Qafë Thanë.
Në përshkrimin e mësipërm nuk ka nevojë për ideologji apo militantizëm. Natyrisht, të gjendur në mungesën e ideologëve të tipit Xhaferi, do të vijmë vërdallë për shumë kohë duke u endur në terr.

Besoj pa dëgjuar se çfarë thotë shumë Berisha, duhet marrë me hekurudhën dhe portet që lidhin pjesët e kombit. Pavarësisht veprës së materializuar me Rrugën e Kombit, Berisha ka hedhur në lojë para të tipit që vetëm me ekonominë kanë pak vlerë. Rama po përpiqet të materializojë idetë e Arbën Xhaferit, por me eficensë jo të madhe.

Me aq sa kuptoj, ndjekja e ideve të Arbën Xhaferit kërkon punën e studiuesve profesionistë. Për mua vetë ato lidhen me Korridorin 8, Portin e Vlorës dhe një trekëndësh Shqipëri-Kosovë-Maqedoni. Një detyrim që bashkon pjesët e kombit dhe bën që të tjerët të na shikojnë jo si nacionalistë të trashë, por me respektin që buron nga fitimet e ndërsjella. Korridori i 8-të dhe porti i Vlorës shoqëruar me hekurudhë dhe pastaj bashkimi doganor janë ide që për mua të shpien realisht te vizioni i Arbën Xhaferit. Të tjerat, siç ishin kritikat e Doktor Berishës dje, vlejnë vetëm për propagandë dite, apo për të ushqyer militantët qorra.


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu