Kriza energjetike ka përplasur sërish LSDM-në dhe VMRO DPMNE-në

Kriza energjetike ka përplasur partitë. Kreu i VMRO DPMNE-së, Hristijan Mickoski nëpërmjet facebookut akuzoi Qeverinë se energjia elektrike tepricë e natës shitet më lirë se çmimi real i saj. Marija Miteva nga VMRO DPMNE tha se posedojnë prova që dëshmojnë se në një kompani që ka blerë rrymën është i punësuar një kuadër i LSDM-së.

“Dyshja Kovaçevski e solli krizën energjetike në gjendje të përshkallëzimit, krimi dhe paaftësia e dyshes Kovaçevski grabit qytetarët dhe ua shet energjinë elektrike të lirë të prodhuar në Maqedoni tregtarëve të cilët më pas e rishesin për fitime të mëdha. Ne kemi prova të reja për këtë. Për periudhën prej 1 deri më 5 gusht, tepricat e natës i shet me çmim prej 245 euro për Megavat për orë, ndërsa për të njëjtën periudhë çmimi i energjisë elektrike të HUPX është 372 euro për. Diferenca, pra fitimi që ka vënë në xhep një tregtar është 158.550 euro”, tha Marija Miteva, zëdhënëse e VMRO-DPMNE-së.

Ndërsa social demokratët vazhdojnë akuzat se në kohën kur me ELEM-in drejtonte Hristijan Mickoski, energjia elektrike është blerë me çmim shumë të shtrenjtë edhe kur nuk kishte krizë energjetike.

“Mickoski si drejtor I ELEM-it blente energji elektrike me çmim për tre-katër herë më të lartë se çmimi i tregut. Në kohën e tij energjia elektrike u rrit për 100 përqind, ndërsa kjo ka ndodhur në një kohë kur nuk kishte asnjë krizë”, thonë nga LSDM-ja.

Nga kjo parti theksojnë se qeveria po ndërmerr të gjitha masat e nevojshme për zbutjen e goditjes nga kriza. Ndërkohë nga EMV thonë se bashkëpunimi rajonal për ballafaqimin me krizën energjetike do të zbatohet përmes shoqërisë aksionare Elektranat e Maqedonisë së Veriut, ndërsa shtojnë se bëhet fjalë për projekte të dakorduara brenda Ballkanit të Hapur dhe forma të tjera të bashkëpunimit mes vendeve të rajonit.


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu