Kryeministri i vendit Ramush Haradinaj, ka reaguar ndaj marshit të sotëm protestues në përvjetorin e parë të vdekjes së aktivistit të Lëvizjes Vetëvendosje Astrit Deharit.
Haradinaj është zotuar se Qeveria e Kosovës nën udhëheqjen e tij do të bëjë gjithçka mundet, që të ndriçohet rasti i vdekjes së Astrit Deharit, njofton Klan Kosova.
Në reagimin e tij shkruan:
”EDHE UNË JAM ASTRITI
Bashkëndjejë me familjarë, miq, e kolegë të familjes Dehari e poashtu edhe qytetarë të cilët po protestojnë sot në kërkim të ndriçimit të rastit Dehari.
Si Kryeministër, zotohem se Qeveria e Kosovës me kapacitetet e saj do të bëjë gjithçka që ky rast të ndriçohet. Çdo kërkesë e familjes Dehari do të realizohet. Drejtësia për Astritin do të ndodhë! RH”
Qindra aktivistë të Lëvizjes Vetëvendosje, Familja Dehari dhe avokati i rastit, Tomë Gashi, u mblodhën sot pranë Bibliotekës Kombëtare, për marshin protestues drejt Qeverisë së Kosovës, në përkujtim të Astrit Deharit, duke kërkuar dhe zbardhjen e rrethanave të vdekjes së tij, njofton Klan Kosova.
Aktivisti i Lëvizjes Vetëvendosje, Astrit Dehari vdiq në rrethana të dyshimta më 5 nëntor të 2016 në Qendrën e Paraburgimit në Prizren.
Ai dhe disa aktivistë të tjerë të Vetëvendosjes akuzoheshin për sulm ndaj ndërtesës së Kuvendit të Kosovës.









