Kryeministri shqiptar me kritika ndaj BE-së dhe Bullgarisë

Kryeministri shqiptar nuk ka të ndalur me kritikat drejtuar BE-së dhe Bullgarisë për bllokimin e integrimit evropian. Rama ka kërkuar çeljen e bisedimeve pasi mbetja e Shqipërisë dhe e Maqedoninë vetën në statusin e shteteve kandidate nuk nënkupton gjë tjetër pos një lloj pilule kundër depresionit për të rritur moralin e këtyre vendeve.

Kryeministri shqiptar Edi Rama në një intervistë për televizionin francez, në france24 sërish ka drejtuar kritika ndaj BE-së dhe Bullgarisë për bllokimin e procesit të integrimit evropian për Shqipërinë dhe Maqedoninë. Statusin e kandidatit në Bashkimin Evropian, kryeministri Rama e ka përshkruar “si një lloj pilule kundër depresionit për të rritur moralin e vendeve”.

Rama ka thënë se e ndjente “të drejtë të njihte ukrainasit si një komb që po bëjnë shumë për ne, se si ata parandalojnë avancimin e kundër-reformës më të frikshme në botë që Putin dëshiron të vendosë”. Kreu i qeverisë tha se nuk është Shqipëria që ka bërë një proces të ngadalë drejt BE-së, por është ky i fundit që ka ngadalësuar përparimin për këtë proces. Ai theksoi se nuk është i frustruar, por është i trishtuar nga dështimi i BE-së për të përmbushur premtimin e dhënë për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut.

“Nuk është Shqipëria që ka bërë progres të ngadaltë drejt BE-së, por BE-ja është ngadalësuar. Nuk jam i frustruar, por tepër i trishtuar nga dështimi i Bashkimit Evropian për të përmbushur premtimin e dhënë ndaj Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut”, tha Edi Rama, kryeministër i Shqipërisë.

I vetmi rezultat pozitiv për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut në samitin evropian, sipas Ramës ishte pranimi në tryezën e këshillit me statusin e vëzhguesit. Dy vendet janë sërish larg çeljes së konferencës së parë ndërqeveritare me BE.

Televizioni francez e përshkruan Ramën si gjithnjë e më të frustruar nga mungesa e progresit në ofertën e anëtarësimit të vendit të tij në BE: fillimisht duke kërcënuar se nuk do të vinte në takim, pastaj duke njoftuar se procesi po “rrëmbehej” nga vetoja bullgare mbi procesin e pranimit të vendit të tij dhe Maqedonisë.

Rama gjatë tre ditëve të fundit ka drejtuar kritika të shumta në adresë të Sofjes pas çka nxiti edhe reagimin e Ministrisë së Jashtme Bullgare e cila tha se “komentet e hidhura të një niveli aq të ulët nuk mundet të justifikohen me karakterin dhe mungesën e aftësisë për komunikim evropian.”

Por Rama u kundërpërgjigj duke thënë se Bullgarët duhet të heqin veton, ose ti durojnë kritikat. Shqipëria ka statusin e kandidatit për në BE që nga viti 2014 dhe nisjen e bisedimeve me BE-së është bllokuar për shkak të kontestit mes Maqedonisë dhe Bullgarisë pasi Brukseli insiston që dy vendet njëkohësisht të nisin bisedimet e anëtarësimit.


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu