Kryeministri spanjoll në Serbi përsërit qëndrimin kundër Kosovës

Spanja mbështet Serbinë për çështjen e Kosovës, tha kryeministri i Spanjës, Pedro Sanchez, i cili ndodhet për një vizitë dy ditore në Beograd. Ai tha kështu pas takimit me presidentin serb, Aleksandër Vuçiq më 29 korrik.

Sanchez do të vizitojë edhe katër vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor. Kosova është i vetmi vend në rajon që Sanchez nuk do ta vizitojë gjatë vizitës së tij në Ballkan. Spanja është një nga pesë vendet anëtare të Bashkimit Evropian që nuk e kanë njohur pavarësinë e Kosovës.

Gjatë një konferencë të përbashkët për media me Vuçiqin, ai tha se Spanjën dhe Serbinë i lidhë nevoja për të “respektuar të drejtën ndërkombëtare dhe sovranitetin dhe integritetin territorial të dy vendeve” dhe se “Spanja do të jetë gjithmonë me Serbinë në respektimin e këtyre parimeve”.

Ai gjithashtu tha se mbështet Serbinë dhe Ballkanin Perëndimor në rrugën e integrimit evropian.

Spanja do të jetë gjithmonë me ju dhe ju keni mbështetjen tonë për t’u bërë anëtare e Bashkimit Evropian”, tha ai.

Marrëdhëniet politike mes Serbisë dhe Spanjës, Sanchez i cilësoi si “fantastike”, duke shtuar se edhe marrëdhëniet ekonomike dhe tregtare duhet të arrijnë në të njëjtin nivel.

Ai tha shkëmbimi tregtar ka qenë në rritje në pesë vjetët e fundit, por shtoi se dëshiron që ky shkëmbim të rritet edhe më shumë, duke paralajmëruar ardhjen e kompanive të reja nga Spanja në Serbi.

Sanchez tha se me Vuçiqin ka folur edhe për luftën në Ukrainë dhe pasojat e luftës në Evropë, duke bërë thirrje për përfundimin e menjëhershëm të luftës dhe vendosjen e paqes në Ukrainë.

Vuçiq: Serbia i është mirënjohëse Spanjës për mbështetjen e saj

Serbia i është mirënjohëse Spanjës për mbështetjen e vazhdueshme dhe pa kushte në procesin e anëtarësimit në BE, tha presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq.

“Serbia e konsideron Spanjën një mik të madh”, shtoi ai.

Duke e falënderuar Spanjën për mosnjohjen e pavarësisë së Kosovës dhe “respektimin e integritetit territorial të Serbisë”, Vuçiq tha se e ka njoftuar kryeministrin Sanchez për rrjedhën e dialogut që Serbia dhe Kosova Beogradi po zhvillojnë nën lehtësimin e BE-së.


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu