Kryente vjedhje në Shqipëri dhe Maqedoni, ekstradohet nga Holanda anëtari i bandës “Babagjyshët”

Fatmir Pjetri, 33-vjeçar, anëtar i bandës së njohur të grabitësve të quajtur “Babagjyshët” është ekstraduar nga Holanda drejt Shqipërisë. Ekstradimi i tij është kryer pasi Gjykata e Krimeve të Rënda e ka dënuar me 30 vite burg për disa akuza të kryera si pjesëtar i grupit të strukturuar kriminal në fushën e vjedhjes me armë.

Në vitin 2017 Pjetri është ndaluar provizorisht nga autoritetet holandeze, me qëllim ekstradimin e tij në Shqipëri.

Ky person ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar pasi Gjykata e Shkallës së Parë për Krimet e Rënda Tiranë e ka dënuar me 30 vjet burg për veprat penale “Vjedhja me armë e kryer në bashkëpunim”, “Grupi i strukturuar kriminal” dhe “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale dhe “Grupi i strukturuar kriminal”.

Pjetri ka qenë pjesë grupi kriminal “Babagjyshët” që gjatë periudhës Janar-Dhjetor të vitit 2013 dhe në vazhdim, në qytetet e Tiranës, Laçit, Fushë-Krujës, Kuçovës dhe Durrësit kanë grabitur me armë disa argjendari në këto qytete.

Ata dyshohen se kanë kryer të paktën 9 grabitje, 7 prej të cilave të ndodhura në Shqipëri dhe dy në Strugë të Maqedonisë, ku dhe mbeti i vrarë një prej bandës së babagjyshëve.

Mes grabitjeve të famshme të grupit është ajo e vitit 2014 në një qendër tregtare në Tiranë ku u futën dhe morën një sasi të konsiderueshme floriri.

Hetimet e asaj kohe zbardhën mekanizmin e funksionimit të grupit ku fillimisht vidheshin makinat që do të përdoreshin në krim, ato më pas digjeshin duke u ndërruar në ikje për të humbur gjurmët dhe 11 anëtarët kishin detyra të ndara mes tyre nga pikasja e biznesit që do grabitej e deri tek vendosja e orarit apo veshja që do përdorej.


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu