Kryeparlamentari i Shqipërisë Ruçi ka një thirrje për shqiptarët e Maqedonisë

Kryetari i Parlamentit të Shqipërisë, Gramoz Ruçi i ftoi shqiptarët në Maqedoni që në mënyrë masive të dalin dhe të votojnë “pro” në referendumin që do të mbahet më 30 shtator.

Siç kishte vlerësuar në takimin në Tiranë, me kryetaren e Tetovës, Teuta Arifi, rezultati pozitiv i referendumit është me rëndësi të madhe për të ardhmen evropiane të Maqedonisë dhe të gjithë rajonit.

“Forcat politike dhe institucionet e pushtetit qendror dhe lokal të kryesuara nga shqiptarët duhet të japin porosi të qartë për mbështetjen e referendumit. Ne shqiptarët, jemi faktor i rëndësishëm i stabilitetit jo vetëm për Maqedoninë, por edhe për të gjithë rajonin. Është pozitive se partitë politike shqiptare janë kryesisht për referendum dhe kjo duhet të ndiqet me mbështetjen nga ana e votuesve shqiptarë”, deklaroi Ruçi.

Ai shtoi se roli i komunës së Tetovës është kyç për sigurimin e pjesëmarrjes së shqiptarëve në referendum dhe thekson se “shqiptarët nuk duhet ta humbin këtë mundësi historike”.

Kryetarja e Tetovës e theksoi faktin se forcat politike në Maqedoni e mbështesin referendumin dhe do të votojnë “pro”.

“Suksesi i referendumit më 30 shtator e hap rrugën për ndryshime të tjera pozitive në Maqedoni, të cilat kanë dhe do të kenë mbështetjen edhe nga faktori ndërkombëtar. Faktori ndërkombëtar, në këtë çështje, si rrallë herë deri më tani, i mbështet forcat progresive në Maqedoni, të cilat bëjnë përpjekje që t’i zgjidhin problemet, për prosperitet, paqe dhe stabilitet në rajon”, theksoi Arifi.

Dy bashkëbiseduesit shfaqën besim se shqiptarët në mënyrë masive do të marrin pjesë në referendumin e 30-të shtatorit dhe se vota e tyre do të jetë “pro”.

Arifi e falënderoi Ruçin për mbështetjen që Shqipëria dhe Kuvendi i këtij shteti e japin në këto momente për shqiptarët në Maqedoni.


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu