KSHZ: Numri i votuesve të njësisë së 6-të mbi kufirin e lejuar

Sipas KShZ-së, për zgjedhjet e caktuara më 11 dhjetor të drejtë vote do të kenë 1 milionë e 770 mijë e 736 qytetarë, ose 9 mijë e 392 votues më pak se në zgjedhjet parlamentare në vitin 2014.

Zvogëlim të numrit të votuesve ka edhe në njësinë e parë dhe të dytë zgjedhore, kurse pothuajse 8 mijë votues më pak ka në njësinë e parë zgjedhore në Shkup dhe në Kumanovë.

Lista e votuesve megjithatë ende nuk është mbyllur zyrtarisht, pasi kontrolli publik do të jetë i mundur prej 27 tetor deri më 16 nëntor.

Shikuar sipas njësive, edhe më tej njësia numër 6-të ka më tepër votues nga ajo që lejon Kodi Zgjedhor.

“Gjendja në njësinë e 6-të zgjedhore është plus 5.28 për qind, që është mbi kufirin e lejuar. Për shkak të kësaj, KShZ u është drejtuar institucioneve kompetente, Ministrisë së Drejtësisë dhe Kuvendin dhe i ka njoftuar me këtë gjendje”,- deklaroi Admir Shabani nga KShZ, transmeton RTVM2.

Për rregullimin e çështjes së numrit të votuesve në përputhje me Kodin Zgjedhor, pritet propozim nga ana e deputetëve ose Ministrisë së Drejtësisë.

Por, intervenimi duhet të bëhet para 12 tetorit, kur pritet shpërbërja e kuvendit, pasi më 12 nëntor fillon fushata zgjedhore për zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 11 dhjetorit.

Pas njoftimit nga KShZ për numrin e votuesve, kanë reaguar VMRO-DPMNE dhe LSDM. Sipas VMRO-së, Metodologjia, që e ka propozuar vet LSDM, dëshmoi se nuk ka as 500 mijë e as 300 mijë votues fantom, por bëhet fjalë për frikë të thjeshtë për ballafaqim me qytetarët në zgjedhje dhe tentim i turpshëm që të gjinden arsyetime të ndryshme, që të prolongohet kriza dhe t’u iket zgjedhjeve.

Por, sipas LSDM-së, VMRO dhe Gruevski janë të dëshpëruar se nuk do të mund të falsifikojnë edhe një palë zgjedhje.

“Pa falsifikim zgjedhor i pret humbje më 11 dhjetor. Gjithsej 200 mijë votues i kishte në dispozicion pushteti për manipulim zgjedhor. Prej tyre mbi 170 mijë është konstatuar se janë jashtë vendit, ndërsa 30 mijë nuk ekzistojnë fare”,- thonë nga LSDM./infoshqip.com


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu