Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë reaguar pas shpalljes së aktgjykimit të Dhomave të Specializuara të Kosovës ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit.
Në një përgjigje për Radion Evropa e Lirë, një zëdhënës i Departamentit amerikan të Shtetit deklaroi se Uashingtoni e respekton vendimin e dhënë nga gjykata.
“Ne e respektojmë aktgjykimin e sotëm të Dhomave të Specializuara të Kosovës”, thuhet në reagimin e DASH-it, të raportuar pas vendimit të 16 shtatorit.
Shtetet e Bashkuara kanë ritheksuar gjithashtu mbështetjen për drejtësinë për të gjitha viktimat dhe familjet e tyre, si dhe për parimet e llogaridhënies, procesit të rregullt ligjor dhe sundimit të ligjit.
Në reagim, Uashingtoni u ka bërë thirrje të gjitha palëve që të respektojnë vendimin e gjykatës dhe të shmangin retorikën nxitëse.
“U bëjmë thirrje të gjitha palëve që ta respektojnë vendimin e gjykatës, të shmangin retorikën nxitëse dhe të vazhdojnë të punojnë drejt një të ardhmeje paqësore dhe demokratike”, deklaroi zëdhënësi i Departamentit të Shtetit.
Reagimi i SHBA-së vjen pas aktgjykimit të shkallës së parë të shpallur këtë të mërkurë në Hagë. Thaçi dhe Krasniqi u dënuan me nga 25 vjet burgim, Veseli me 18 vjet dhe Selimi me 13 vjet. Trupi gjykues i shpalli katër të akuzuarit fajtorë për krimet e luftës të ndalimit arbitrar, trajtimit mizor, torturës dhe vrasjes, ndërsa i shpalli të pafajshëm për akuzat për krime kundër njerëzimit.
Vendimi ka shkaktuar reagime të shumta në Kosovë, ku gjatë ditës mijëra qytetarë u mblodhën në Prishtinë për të ndjekur shpalljen e aktgjykimit, ndërsa mbështetës të ish-krerëve të UÇK-së u mblodhën edhe pranë selisë së gjykatës në Hagë.










