Ku qëndron problemi me sanksionet aktuale ndaj Rusisë

Kanë kaluar tashmë 5 muaj që kur Evropa dhe Shtetet e Bashkuara vendosën sanksione të ashpra ekonomike dhe financiare ndaj Rusisë, një vend i G20-ës, dhe ekonomia e 11-të më e madhe në botë në prag të pushtimit të Ukrainës.

Ndërsa sanksionet janë forcuar gradualisht që nga ajo kohë, ka aktualisht një debat të fortë mbi efektivitetin e tyre, pasojat më të gjera të luftës tek tregjet dhe ekonomia globale, dhe atë se cilat duhet të jenë hapat e ardhshëm të Perëndimit.

Në lidhje me pyetjen e parë, ndonëse sanksionet kanë qenë më pak efektive sesa shpresonte Evropa dhe SHBA-ja, ato po rezultojnë gjithsesi të jenë më problematike për Rusinë sesa pretendon zyrtarisht Kremlini. Banka Qendrore e Rusisë, pret që PBB-ja të bjerë këtë vit me 8-10 për qind, ndërsa institucionet e tjera ndërkombëtare presin një rënie më të madhe, së bashku me dëmtimin afatgjatë të potencialit të rritjes ekonomike.

Importet dhe eksportet janë pakësuar ndjeshëm, ndërsa janë ndërprerë gati të gjitha investimet e huaja. Mungesat po shtohen çdo ditë e më shumë, duke e rritur akoma më tej inflacionin. Në këtë pikë, Rusia nuk ka më një treg të këmbimit valutor që funksionon siç duhet.

Sanksionet do të kishin qenë shumë më efektive nëse Perëndimi nuk do të kishte zgjedhur të shkëputej tërësisht nga sektori energjetik i Rusisë, dhe nëse atyre do tu bashkoheshin shumë vende të tjera të botës, krahas SHBA-së dhe Evropës. Për shkak se kjo gjë nuk ndodhi, Rusia nuk ka ndier aq shumë presion sa parashikohej, raporton abcnews.al.

Për më tepër, ajo ka qenë në gjendje ta vazhdojë tregtinë përmes rrugëve dytësore, të cilat ka të ngjarë të bëhen gjithnjë e më të rëndësishme për sa kohë që do të vazhdojë regjimi aktual i sanksioneve. Por është vetëm çështje kohe, përpara se ekonomia ruse të përjetojë një goditje më të rëndë.

Rezervat e mallrave të importuara – përfshirë shumë pjesë teknologjike dhe industriale tepër të rëndësishme – po pakësohen me shpejtësi, dhe shumë sektorë po bëhen më pak të qëndrueshëm. Me kalimin e kohës, dëmi në ekonominë ruse do të jetë serioz dhe afatgjatë, një fakt që nuk është kuptuar plotësisht nga parashikimet afatmesme.

Pyetja e dytë e kësaj çështjeje, ka të bëjë me efektet globale nga lufta dhe regjimi i sanksioneve. Shumica e analistëve bien dakord se pushtimi rus i Ukrainës, ka rritur jo vetëm pasigurinë energjetike, por edhe atë ushqimore, duke i rënduar akoma më tej pasojat për shkak të ndërprerjes së eksporteve bujqësore ukrainase.

Por ndërkohë ka ende shumë debate rreth përdorimit të opsionit të sanksioneve ekonomike më të forta nga Perëndimi:kufizimet e vendosura ndaj Bankës Qendrore të Rusisë, dhe në lidhje me përdorimin nga Rusia të sistemit ndërkombëtar të pagesave, SWIFT, raporton abcnews.al.

Këto kufizime janë shumë më ndërhyrëse sesa përzierja e zakonshme e kufizimeve ndaj tregtisë që zhvillon qeveria ruse, por edhe ndaj sektori privat, dhe në marrëdhëniet financiare midis individëve. Megjithatë, për shkak se ato nuk i nënshtrohen asnjë standardi, udhëzimi ose kontrolli, dhe një ekuilibri të pranuar ndërkombëtarisht, janë jashtë kompetencës së organeve përkatëse të qeverisjes globale si Banka për Zgjidhjet Ndërkombëtare, Fondi Monetar Ndërkombëtar dhe Organizata Botërore e Tregtisë.

Në kohë lufte, një mbikëqyrje e tillë mund të duket e bukur. Por disa ekspertë shqetësohen se sanksionet mund të zvogëlojnë ndjeshëm rolin e dollarit si një monedhë botërore e rezervave, si dhe rolin e sistemit financiar të SHBA-së si ndërmjetësi kryesor global për kursimet dhe investimet e vendeve të tjera.

Në fund të fundit, një numër në rritje vendesh po ndihen padyshim më të prekshme ndaj zgjerimit të sanksioneve nga ana e Shteteve të Bashkuara. Por është e pamundur të zëvendësohet diçka me asgjë, gjë që do të thotë se në të ardhmen e afërt nuk do të ketë humbje të konsiderueshme të përparësisë financiare që ka dollari apo SHBA-ja.

Përkundrazi, sanksionet do t’i japin një vrull të mëtejshëm procesit gradual të fragmentimit ekonomik global, i cili u ushqye disa vite më parë nga tarifat e vendosura nga administrata e presidentit Donald Trump. Tani gjithnjë e më shumë vende, kanë më shumë arsye për të pasur një qëndrueshmëri më të madhe financiare dhe forma në thelb joefikase të vetë-sigurisë.

Dhe kjo na çon tek debati i tretë. Teksa fundi i luftës në Ukrainë nuk po shihet ende në horizont, çfarë duhet të bëjë më tej Perëndimi? Nga frika e pasojave mbi çmimet e energjisë dhe furnizimin me gaz të Evropës, shumë politikanë dhe ekspertë në Perëndim po tundohen të bëjnë thirrje për një moratorium mbi çdo lloj sanksioni të ri, apo edhe kundër reduktimeve shtesë të furnizimeve energjitike që vijnë nga Rusia.

Megjithatë të tjerët favorizojnë vendosjen e masave shtesë, për ta mbajtur Rusinë përgjegjëse për sulmet e saj pa dallim ndaj civilëve ukrainas. Në çdo rast, ruajtja e regjimit aktual të sanksioneve nuk është pa probleme, për shkak të objektivave të dyfishtë të presionit ndaj Rusisë dhe kufizimeve nga kriza ekonomike që ka shpërthyer në Evropë.

Për më tepër, siç deklaroi kohët e fundit presidentja e Komisionit Evropian Ursula von der Leyen, duket sikur Rusia po e “shantazhon” Evropën, duke kërcënuar se do të ndërpresë furnizimet me gaz në çdo moment. Nuk është çudi që Komisioni po u kërkon vendeve anëtare të reduktojnë me 15 për qind konsumin e gazit.

Nën regjimin aktual të sanksioneve, Perëndimi rrezikon të ndodhet midis 2 zjarreve. Ndërsa lehtësimi i sanksioneve mund ta ndihmojë në zbehjen e shqetësimeve në lidhje me perspektivën ekonomike të Evropës, ky opsion nuk është i pranueshëm, duke pasur parasysh mizoritë që po kryejnë forcat ruse në Ukrainë.

Por nëse Perëndimi është serioz në lidhje me presionin ndaj Rusisë nëpërmjet sanksioneve vërtet gjymtuese në aspektin ekonomik dhe financiar, ai duhet të shtërngojë dhëmbët, dhe të eliminojë çdo import të energjisë nga Rusia, raporton abcnews.al.

Kjo gjë do të kishte padyshim një pasojë të rëndë ekonomike në një periudhë afatshkurtër, si tek ekonomitë evropiane ashtu edhe për pjesën tjetër të botës. Ajo do të përforconte sindromën e “Zjarreve të vogla që shpërthejnë kudo”, për të cilën kam paralajmëruar në muajin maj.

Për këto arsye, është shumë e rëndësishme që qeveritë ta përdorin hapësirën e tyre fiskale që kanë në dispozicion, për të ofruar mbështetje speficike për segmentet më të cenueshme të popullsisë, por edhe për vendet e brishta.

Agjencitë shumëpalëshe duhet të mbështesin vendet në zhvillim nëpërmjet ndihmës, dhe një kuadri më operacional për lehtësimin e borxhit. Nëse kryhet siç duhet, ky opsion do të jepte rezultate më të mira në terma afatmesëm dhe afatgjatë sesa strategjia aktuale.

Një sjellje konfuze dhe ngatërrimi i shkallës së rreziqeve, mund të sjellë më të keqen. Nuk mjafton vetëm detyrimi i Rusisë për t’i dhënë fund luftës së saj ilegale në Ukrainë. Ky konflikt, po nxit një fragmentim më të thellë të sistemit monetar ndërkombëtar; dhe nuk po e mbron Evropën as nga një ndërprerje e gazit gjatë stinës së dimrit.


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu