Kundër Hashim Thaçit që na e vodhi lirinë dhe po na e shet Kosovën

Nga: Xhevdet Pozhari

Protesta e parë ishte si 12-13 vjeçar. Ishim ulur në qendër të Gjakovës dhe me zile simbolikisht tregonim kohën që të çliroheshim nga regjimi kriminal serb. Në shpërndarje, policia serbe na ndoqi e rrahu brutalisht shumë protestues. Na ndiqnin sidomos ne të vegjëlve që ta mbjellnin tmerrin dhe frikën. Por, sa më shumë na shtypnin, aq më shumë rezistonim.

Ditët në vijim, vetë nxënësit e shkollava organizoheshim me brohoritje të ndryshme. Erdhi koha kur ashtu grumbull shkonim e vinim nga shkolla. Brohorisnim sa mundnim parrulla. Ashtu zbraznim jo vetëm mllefin, por ishte edhe një klithmë për një jetë si të gjithë bashkëmoshatarët. Nëse e ndalonin një nxënës, të gjithë ishim aty dhe shpejt perfshiheshin edhe të rriturit…

Periudha e shkollës së mesme ishte edhe më e rëndë. Jo rrallë na ndodhte që të kthehemi në shtepi të helmuar nga gazrat që hidhte policia në drejtim tonë. Por, viti i maturës erdhi shpejt! Ishte viti 99′. Mungonin shumë nxënës të vrarë në luftë, e shumë të tjerë të rrëmbyer, të zhdukur….

Vitin e parë të studimeve e nisëm me kërkesat dhe greva për lirimin e të burgosurve, kthimin e të pagjeturve. Sërish protesta, nga unionet studentore. Dhe erdhi koha kur më u lodhëm! Donim të jetojmë pas dy dekadave protestë. Kur shpresonim se përfaqësuesit tanë politik nuk do ta çojnë dëm sakrificën e popullit. Nuk do ta harrojnë ferrin nëpër të cilin kemi kaluar. Nuk e paramendonim se një ditë do të duhej të protestonim kundër tyre që duan të japin pjesë të Kosovës duke shkelur mbi sakrificën tonë.

Dhe sot, duhet të protestojmë mbi të gjitha që fëmijët tanë nesër mos të jenë të detyruar që të dalin në rrugë për të njëjtat kërkesa, që mos të turpërohemi nga brezat që do të vijnë ne që nuk heshtëm as kur e kishim më rëndë se tani. E, sa për frikë, atë moti e kemi groposur në gërmadhat e qyteteve që digjeshin bashkë me banorë për së gjalli. Frikë e vetme është që dikush mos t’ua vjedh ardhmërinë fëmijëve tanë, siç ua vodhën gjithë këto vite duke i degdisur në katër anët e botës.

Andaj, Hashim Thaçi, bën mirë t’i mbledhësh mendtë! S’ta kemi pas me borxh këtë tradhti që po ia bën popullit tënd.


1 Koment

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu