Në vitin e kaluar, kryeministri i sapozgjedhur i Kosovës, Albin Kurti, kishte deklaruar në dy intervista se taksa ndaj Serbisë nuk duhet të hiqet, ajo duhet të ngelet, ndërsa ajo që duhet të shkojë është Qeveria Haradinaj
Në janar të vitit 2019, Albin Kurti pati deklaruar se e përkrah Qeverinë Haradinaj për taksën dhe nuk duhet të zmbrapset dhe si e tillë kjo taksë duhet të mbetet.
Ai kishte kërkuar zgjedhje të parakohshme parlamentare, duke kërkuar kështu që Qeveria e udhëhequr nga Ramush Haradinaj të dalë nga pushteti.
Edhe në një intervistë tjetër, Kurti pati deklaruar se meqë tani taksa është vendosur, nuk duhet të hiqet më, ajo duhet të ngelet.
Mirëpo me të ardhur në pushtet, Albin Kurti ka ndryshuar qëndrimin në lidhje me taksën.
Ai tri ditë më parë në një konferencë për media, ka thënë se taksa 100 për qind do të hiqet dhe do të vendoset reciprocitet.
“Ne nuk i vendosim Serbinë dhe Bosnjën në të njëjtën fjali. Edhe për shkaqe historike dhe arsye aktuale. Konsiderojmë që jemi këtu ku jemi si qeveri e re edhe për shkak të zotimit tonë se me Serbinë do të kemi reciprocitet si zëvendësim për tarifën 100 përqind”, pati deklaruar Kurti.
Të njëjtat qëndrime i ka paraqitur edhe sot në një postim në Facebook, duke thënë se taksa 100 për qind do të hiqet, sapo të vendoset reciprociteti.
“Tarifa 100% ndaj mallrave të Serbisë do të zëvendësohet me parimin e reciprocitetit. Tarifa 100% hiqet porsa të vendoset reciprociteti. Shumë shpejt fillojmë t’i përgatisim Doganat e Kosovës për këtë. Si Kryeministër i Republikës së Kosovës e kam shprehur vullnetin që ta heqim tarifën 100%. Pres që Serbia të deklarohet se ka vullnet për ndaljen e fushatës për ç’njohjet e pavarësisë së Kosovës”, ka shkruar Kurti.
VIDEO:










