Kur mund të mbyllet zyrtarisht epidemia e COVID-19?

Numri i të vdekurve nga coronavirusi i ri (COVID-19) në gjithë botën ka kaluar në mbi 180 mijë. Përveç kësaj, sipas faqes së internetit “Worldometer”, e cila përpilon të dhënat në lidhje me pandeminë, numri i rasteve ka shkuar në rreth 2,6 milionë.

Po sipas këtyre të dhënave, numri më i madh i vdekjeve është regjistruar në SHBA, me mbi 45 mijë viktima, Itali me mbi 24 mijë viktima.

Pas tyre vijnë Spanja, Franca, Britania e Madhe, Belgjika, Irani, Gjermania dhe Kina.

Por në gjithë këtë histori trishtuese ka edhe lajme të mira.

Pas shfaqjes në Wuhan të Kinës në dhjetor të vitit të kaluar, deri më tani, mbi 700 mijë njerëz të infektuar e kanë mposhtur sëmundjen.

Megjithatë, ditëve të fundit ka shenja se vende të ndryshme të Evropës dhe jo vetëm, tanimë kanë filluar përgatitjet për largimin e masave të lëvizjes – për të cilën gjë është duke u folur edhe në Kosovë, përcjell Telegrafi.

Një nga njerëzit që ka përmendur “arritjen e pikut” është edhe mikrobiologu Lul Raka, i cili ka thënë se shpreson që Kosova ta ketë kaluar ditën me numrin më të madh të të infektuarve me COVID-19 në Kosovë.

“Piku është dita me numrin më të madh të rasteve. Ne e kemi pasur të dielën e kaluar me 79 raste. Uroj ta kemi kaluar”, ka shkruar ndër tjerash Raka në Facebook.

Ndryshe, sipas një njoftimi të ditës së martë të Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKSHPK), nga data 08 shkurt deri më 21 prill 2020, në Laboratorin e Mikrobiologjisë Molekulare në IKSHPK me metodën RT-PCR, janë testuar gjithsej 5,200 mostra të dyshimta në virusin SARS-CoV-2 dhe prej tyre pozitive kanë rezultuar gjithsej gjashtëqind e katër (604) raste, ndërsa gjithsej tetëmbëdhjetë (18) raste kanë ndërruar jetë dhe të cilët kanë pasur sëmundje të tjera shoqëruese.

Por, siç ka shkruar më tej, Raka, sigurisht epidemia nuk mbaron më 4 maj, ditë kur pritet të fillojnë disa lehtësime në lëvizjen e njerëzve.

Për këtë ai ka marrë shembull Singaporin, që ishte shembull i përballjes me coronavirus, por që këto ditë shënoi 1426 raste të reja në valën e dytë.

Sëmundja u shfaq në konvikt të punëtorëve, i cili ishte i mbingarkuar dhe pa masa adekuate higjienike. Në veri të Kinës, po ashtu, kishte raste të reja.

Në këtë drejtim, Raka ka shkruar rreth asaj se kur mund të konsiderohet e mbyllur zyrtarisht epidemia.

Sipas tij, kjo mund të ndodhë vetëm 28 ditë pas rezultatit negativ të pacientit të fundit të vërtetuar në laborator.

data-full-width-responsive="true">

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu