Në seancën për “Marrëveshjen e Washingtonit” dhe zbatimin e saj foli sërish edhe kryeministri Albin Kurti, ai ka thënë se zotimi për moratorium ishte shkelje Kushtetuese, ndërsa opozitën e ka quajtur qesharak.
Ai akuzoi Hotin se “i hapi portën e Shtëpisë së Bardhë, Aleksandër Vucici, presidentit të Serbisë” duke e cilësuar si “efektin e menjëhershëm të marrëveshjes”.
“Në fillim të dekadës së këtij shekulli pat qenë kryeministri Zoran Gjingjiq që u prit në Shtëpinë e Bardhë, dhe pas tij askush. Pra, le të mos e harrojmë efektin e menjëhershëm.”
“Liqeni i Ujmanit është liqe artificial, nga Kosova e i Kosova. Ne do t’i përdorim të gjitha argumentet edhe në këtë studim të fizibilitetit por edhe në studime të tjera që ta mbrojmë Kosovën nga çfarëdo pretendimi.” tha kryeministri.
Kurti sulmoi Marrëveshjen e Washingtonit edhe për zotimin e moratoriumin për anëtarësim në organizata ndërkombëtare.
“Unë nuk besoj që duhet të kemi lider të institucioneve që do të lavdërohen me shkelje të Kushtetutës me paramendim.” vazhdoi ai.
Më tej, Albin Kurti u shpreh i shqetësuar se opozita nuk ka reflektuar për datat që e sollën në pushtet atë.
“Nuk jemi në pranverën e vitit 2020, por jemi në verën e vitit 2021”, vazhdoi ai.
“Ajo çfarë më brengos më së shumti është mos-reflektimi mbi tri datat më të rëndësishme të këtij viti. 14 shkurt, 22 mars dhe 4 prilli. Ende nuk po e kuptoni se çfarë ka ndodhur në këto data, pra është një hidhërim i pakuptueshëm që të vazhdojnë sulmet ndaj Qeverisë sonë. Ne jemi patriot dhe demokrat e ashtu dëshirojnë edhe aleatët tanë. Mos harroni që duke u munduar të mbroni Shtetet e Bashkuara të Amerikës nga unë, duke mos pasur mundësi të dukeni tragjik, po dukeni qesharak”, ka thënë Kurti.
Ai ka thënë se SHBA’të vështirë se i rrezikon dikush në botë, andaj nuk rrezikohen as nga Kurti.
“Dua të ju them që punët me të cilat duhet të merrem unë, merrem unë. Normalisht që do të merrem ndonjëherë edhe me të kaluarën, sepse po më duhet të merrem me ju”, ka thënë Kurti.









