Kurti dhe Osmani kthehen me “çantën plot” në Kosovë, marrëveshje plot 236 milionë dollarëshe në SHBA

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, dhe kryeministri Albin Kurti, kthehen me “çantën plot” nga vizita në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Qeveria e Prishtinës nënshkroi një marrëveshje me Korporatën Sfidat e Mijërvjeçarit, MCC, me një vlerë prej 236 milionë dollarësh, e cila do të përqendrohet kryesisht në projekte të energjisë. Ceremonia u mbajt në Kongresin Amerikan, ndërsa firmëtarët ishin, ministrja e Ekonomisë, Artanë Rizvanolli, dhe shefja ekzekutive e MCC, Alice Albright. Krerët e shtetit të Kosovës, të pranishëm gjatë nënshkrimit bashkë me disa kongresmenë amerikanë, e konsideruan këtë zhvillim mjaft historik për vendin.

“Sektori i energjisë gjithmonë ka pasur rëndësi të madhe për zhvillimin e një vendi, por tani me të gjitha krizat energjetike që po ndodhin, është e domosdoshme që Kosova të bëjë hapa përpara në sigurinë energjetike dhe siç e dini ky është investimi më i madh në sektorin energjetik që është bërë për dekada më radhë në shumën prej 236.7 milionë dollarë, i cili përfshin disa komponente të rëndësishme, të cilat do të sigurojnë siguri energjetike për vendin tonë dhe në të njëjtën kohë do të na lejojnë të bëjmë hapa përpara drejt energjisë së ripërtëritshme, e po ashtu edhe krijimit të vendeve të reja të punës, e që në fokus kanë punësimin e grave”, tha Osmani.

“Kjo marrëveshje do t’i sjellë Kosovës 236.7 milionë dollarë grante. Pra nuk bëhet fjalë për kredi, por bëhet fjalë për grante. Jemi shumë të lumtur. Është një lajm i jashtëzakonshëm për qytetarët e Republikës sonë, por komunitetin e biznesit, për institucionet e Republikës sepse në këtë mënyrë ne po e rrisim edhe përqendrimin tonë në energji, por në të njëjtën kohë edhe do ta përforcojmë ekonominë tonë, e cila me rritjen që ka dhe eksportet e shtuara natyrisht se do të ketë nevojë për më shumë energji”, tha Kurti.

Në fjalimet para nënshkrimit, u vlerësua bashkëpunimi mes dy vendeve, si dhe marrëveshja për programin Kompakt. Përmes kësaj ujdie, qeveria e Prishtinës përfiton dy projekte, në atë që po konsiderohet si investimi më i madh i qeverisë amerikane ndonjëherë në Kosovë. Me anë të saj, MCC synon që të ulë varfërinë në Kosovë përmes rritjes ekonomike dhe furnizim të qëndrueshëm energjetik, si dhe të ndihmojë në tranzicionin për në burime të ripërtëritshme të energjisë deri në nivelin 25 për qind. Ndërkohë, marrëveshja e nënshkruar në Uashington, do të duhet të ratifikohet edhe në Kuvendin e Kosovës, por vetëm me dy të tretat e votave.


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu