Presidentja Vjosa Osmani ka folur sot lidhur me caktimin e datës së zgjedhjeve të rregullta që do të mbahen vitin e ardhshëm në vend.
Ajo bëri me dije se Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, njëherit kryeministër, Albin Kurti, i cili nuk mori pjesë në takimin konsultativ, ia ka dërguar tashmë me shkrim datën e preferuar nga subjekti i tij për mbajtjen e zgjedhjeve, shkruan Reporteri.net.
“Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, njëkohësisht kryeministër më ka njoftuar me shkrim lidhur me datën e preferuar të Lëvizjes Vetëvendosje”, tha Osmani, pa treguar se cili ka qenë propozimi i Kurtit.
Osmani tha nuk është që bën ndonjë diferencë kurdo që caktohet data, duke shtuar se partitë politike kanë afat deri nesër për të ngritur ndonjë çështje shtesë.
“Tash unë s’po e bëj të ditur sot këtë datën. Megjithatë, u kemi dhënë partive politike kohë deri në fund të kësaj jave që në qoftë se kanë ndonjë çështje shtesë që nuk e kanë ngritur atë ditë që ta ngrisin ndërkohë. Kemi marrë përgjigje nga shumica dërmuese, do të kemi kohë deri nesër në fund të orarit për të dëgjuar në qoftë se kanë vlerësime shtesë dhe pastaj besoj pasi të përfundon orari nesër, ulemi dhe i dëgjoj vlerësimet e kabinetit tim, ekipës ligjore. Ata të gjithë do të thotë i kanë cështjet që janë ngritur nga të gjitha partitë që i kanë prezantuar deri sot. Por, në fund është diskrecion i institucionit të Presidencës për ta zgjedhur datën, që ne e vlerësojmë se është më e përshtatshme. Edhe pse t’ju them shumë sinqerisht nuk besoj që ka ndonjë dallim, një javë më shumë, një javë më herët, më pak. Nuk besoj që bën ndonjë diferencë të madhe edhe për partitë politike që marrin pjesë në zgjedhje”, tha Osmani.
Ditë më parë, e para e shtetit priti në takim kryetarët e partive politike parlamentare për konsultimin për caktimin e datës së zgjedhjeve. Presidentja Osmani bëri të ditur se sipas Ligjit, janë katër data, 26 janari, 2, 9 dhe 16 shkurti, pasi parashihet që ato të mbahen të dielave.
“Sipas Ligjit, janë katër data për zgjedhje, 26 janari, 2 shkurti, 9 shkurti dhe 16 shkurti, duke qenë që e parasheh Ligji vetëm të dielave. Diskutimi ishte vetëm në kontekst të këtyre datave. Nuk kishte insistim të tepërt, kishte preferenca. Disa parti preferojnë 26 janarin, disa të tjera 9 shkurtin, dhe 16 shkurtin, dhe kishte nga ato që s’kishte preferencë, se cilado datë ju përshtatej”, kishte deklaruar Osmani pas takimit.
Pas takimit, kreu i PDK-së, Memli Krasniqi bëri të ditur se Osmanit i ka propozuar 26 janarin si datë për mbajtjen e zgjedhjeve të vitit 2025.
Ashtu si PDK, edhe LDK-ja e ka parë më të përshtatshëm 26 janarin për mbajtjen e këtyre zgjedhjeve të rregullta.
Propozimi i njëjtë për datë erdhi edhe nga kreu i AAK-së, Ramush Haradinaj. Sipas tij, 26 janari është data e parë në përputhje me afatet ligjore./Reporteri.net/