Kurti “godet” Ramën dhe Vuçiqin, tregon arsyen pse kundërshton kategorikisht “Ballkanin e hapur”

Kryeministri i Kosovës Albin Kurti, ka komentuar takimin e “Ballkanit të Hapur”,që u mbajt dy ditë më parë në Beograd, me pjesëmarrjen e vetëm tri vendeve, Serbisë, Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut.

Kurti është pyetur në një intervistë nga DW se pse është kategorikisht kundër “Ballkanit të hapur”, duke iu përgjigjur kështu edhe kryeministrit të Shqipërisë Edi Rama, i cili dje deklaroi se “Kosova është e ftuar dhe është e mirëpritur të ulet në tryezë”.

Kurti ka thënë se për një “Ballkan të hapur” dhe të lirë, Serbia duhet të ndryshojë qëndrimin e saj, karshi Kosovës. Ai ka theksuar se përderisa Serbia e pranon Shqipërinë si shtet, ajo nuk e pranon Kosovën dhe ky mospranim i Kosovës nga ana e saj, sipas Kurtit është diskriminim.

Ka një dallim themelor në këtë situatë meqenëse Serbia e pranon Shqipërinë si shtet, por nuk e pranon Kosovën dhe ky mospranim i Kosovës nga ana e Serbisë kthehet në diskriminim gjithandej për qytetarët tanë. Pra, derisa një qytetar i Shqipërisë mund të udhëtojë me pasaportë në Serbi, kjo nuk vlen për një qytetar të Kosovës meqenëse neve nuk na pranohen dokumentet tona në Serbi. Pra, për t’u bërë Ballkani i hapur dhe i lirë duhet të ndryshojë një herë Serbia”, ka deklaruar kryeministri Kurti.

Kurti ka përsëritur se ai përkrah iniciativat që kanë brenda tërë kohën Bashkimin Evropian, e jo si “Ballkani i hapur”, që siç ka potencuar ai, është i hapur vetëm për Federatën Ruse dhe Kinën.

Nëse ne bashkëpunojmë me një Serbi, e cila nuk po ndryshon, kjo nuk do ta ndihmojë ndryshimin e Serbisë, përkundrazi inkurajimin e saj. Unë nuk i preferoj iniciativat që nuk i kanë brenda dhe tërë kohën Bashkimin Evropian. Ne i pamë aty tri shtete, tre përfaqësues të shteteve të Ballkanit Perëndimor, mirëpo aty nuk qe askush nga Bashkimi Evropian. Ne e mbështesim procesin e Berlinit dhe tregun e përbashkët rajonal që ka dalë nga procesi i Berlinit e për të cilin nevojiten padyshim liritë e qarkullimit dhe kualifikimeve dhe të njohjes së diplomave profesionale e akademike, por është serish Serbia që nuk po e pranon një gjë të tillë për Kosovën. Në anën tjetër kur thuhet Ballkani i Hapur, i hapur për kë? Sepse ne do të duhej të ishim me Bashkimin Evropian, por jo të hapur për Federatën Ruse dhe Kinën”, është shprehur më tej i pari i ekzekutivit të Kosovës.

Ai ka thënë se nuk është në mesin e liderëve që besojnë në vetmjaftueshmërinë e Ballkanit, duke theksuar se Bashkimi Evropian është fati i Kosovës.

Në një farë mënyre kur thuhet i hapur, nga pikëpamja e Serbisë synohet që ashtu siҫ Serbia është e hapur për Federatën Ruse dhe Kinën, të bëhen edhe të tjerët në Ballkanin Perëndimor. Pra ne kundërshtojmë një tendencë të tillë dhe në fund më duhet t’ju them që edhe personalisht si orientim politik dhe si ndjeshmëri kulturore, nuk jam në mesin e atyre liderëve që besojnë në vetmjaftueshmërinë e Ballkanit. Po e ritheksoj që Evropa është kontinenti ynë, ndërsa Bashkimi Evropian është fati ynë”, ka theksuar Albin Kurti.

Rama, dje në një intervistë për mediat shqiptare, ka thënë se Kosova do të ulej me të drejta të barabarta në nismën e “Ballkanit të hapur”.

“Për herë të parë ai (Vuçiq) e nënvizoi publikisht që Kosova është e ftuar dhe është e mirëpritur të ulet në tryezë. Kështu që në këtë aspekt nisma është e qartë qysh në krye të herës që normalisht ishte gati për të filluar më përpara por që unë asnjëherë nuk e kam rënë dakord që nisma të fillojë pa marrë dakordësinë e plotë dhe të qartë nga ana e presidentit të Serbisë që kjo është një nismë gjithpërfshirëse ku Kosova do të ulet me të drejta të barabarta dhe ku askush nuk do t’i imponohet askujt për asgjë dhe secili bën atë që do”, ka thënë Rama.


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu