Kurti kërkon mbështetje për Kamberin: T’iu japim mësim atyre që provuan ta ndalin zërin shqip në Beograd

Pas vendimit për përsëritjen e zgjedhjeve në qendrën numër 6 të vendvotimit në Bujanoc, gjasat që Shaip Kamberi të ruaj ulësen në Kuvendin e Serbisë janë shumë të mëdha.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka bërë thirrje që të votohet Shaip Kamberi dhe subjekti i drejtuar nga ai.

“Tashmë e kemi parë që Serbia, figurat dhe mekanizmat politik të saj, kanë bërë gjithçka që t’ua pamundësojnë shqiptarëve ta kenë zërin e tyre në Kuvend. Andaj nesër punën e parë në agjendën tuaj ditore, bëni daljen dhe votimin në Qendrën e Votimit nr. 6 në Bujanoc”, ka shkruar Kurti në mesazhin mbështetes për Kamberin.

Kurti ka thënë se shqiptarët goditjen Serbisë duhet t’ia japin qysh herët në mëngjes.

“Është e domosdoshme që nesër, deri në mesditë, shqiptarët e Luginës, Tërnocit, t’i japin mesazh dhe mësim atyre që ushqejnë mosdurim ndaj faktorit shqiptar, duke i goditur përpjekjet e atyre që provuan ta ndalin zërin shqip në Beograd. Goditja fillon me votën e parë në hapje të vendvotimeve, duke arritur numrin e votave të nevojshme për Shaipin dhe përkrahjen për të”.

Ai ka thënë se vota për Shaip Kamberin dhe për Koalicionin e Shqiptarëve të Luginës është detyrë patriotike e secilës e secilit me të drejtë vote, pasi Serbia po tenton t’ua pamundësojnë shqiptarëve ta kenë zërin e tyre në Kuvend.

Sipas Kurtit, Kamberi ka qenë zëri i shqiptarëve në parlamentin e Serbisë dhe jashtë tij.

“Shaipi është flamurtar në parlament e jashtë tij, për të treguar të vërtetën e për të mbrojtur të drejtat e shqiptarëve në parlamentin e Serbisë dhe për t’u angazhuar kundër shtypjes së vazhdueshme nga pushteti i regjimit autokratik në Serbi”.

“Andaj, u bëj thirrje, që nesër, më 27 maj, të përbashkoheni të gjithë ju më të drejtë vote në Tërnoc duke votuar z.Shaip Kamberin si zë i fuqishëm shqip e shqiptar, njerëzor e qytetar”, ka shkruar tutje Kurti./Telegrafi/


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu