Për dorëheqjen nga postii Ministrit të Mbrojtjes, ëshë deklaruar edhe vet Armend Mehaj Ai tha se kjo ka ardhur për arsye familjare.
“Sot, më 08 gusht 2023, në mirëkuptim dhe mirëbesim të plotë, me kërkesën time, Kryeministri Albin Kurti më ka liruar nga detyra e Ministrit të Mbrojtjes të Republikës së Kosovës! Kjo kërkesë prej anës sime, ka ardhur për arsye familjare, për të cilat e kam njoftuar Kryeministrin Kurti, me kohë që më parë. Ai më falënderoi për punën time si dhe për të gjitha angazhimet e përbashkëta deri më sot, gjatë këtyre 29 muajve sa isha në detyrën e Ministrit të Mbrojtjes të Republikës së Kosovës”, ka shkruar Mehaj, në pozitën e të cilit të martën Kurti ka emëruar kolonelin e Forcës së Sigurisë së Kosovës, Ejup Maqedonci.
Mehaj në një postim në Facebook ka treguar për punët që sipas tij janë kryer për kohën sa ai e ka udhëhequr Ministrinë.
Kurti konfirmon dorëheqjen e Mehajt, emëron Maqedoncin Ministër të ri të Mbrojtjes
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e konfirmoi dorëheqjen e Armend Mehajt nga posti i Minsitrit të Mbrojtjes. Ai tha se arsyet e dorëheqjes së tij janë familjare.
“Sot, me kërkesë të ministrit të mbrojtjes, Armend Mehaj, kam pranuar dorëheqjen e tij. Kërkesa për lirim nga detyra vjen për shkaqe familjare. Ministrin Mehaj e falënderova për punën e pandërprerë, kontributin mbresëlënës, bashkëpunimin e rregullt dhe angazhimin e tij shembullor nga dita e parë e marrjes së detyrës.”, shkroi Kurti në Facebook, përcjell portali rtv21.tv
I pari i Qeverisë po ashtu njoftoi se emëroi ministër të ri , Ejup Maqedoncin.
“Ministër të ri të mbrojtjes emërova Ejup Maqedoncin, me të cilin kemi bashkëpunuar deri më tani në funksione tjera. Ministrit Maqedonci i uroj punë të mbarë në avancimin e mbrojtjes dhe sigurisë, në zhvillimin dhe ndërtimin e ushtrisë sonë.Me këtë rast zhvilluam një takim të përbashkët edhe me komandantin e Forcës së Sigurisë së Kosovës, Gjenerallejtënant Bashkim Jashari.”, tha Kurti.
E konfirmon Maqedonci: Do të jem ministër i Mbrojtjes
Kolonel Ejup Maqedonci do të jetë ministër i ri i Mbrojtjes në Qeverinë Kurti. Këtë e ka konfirmuar vetë ai për KosovaPress.
Së fundmi, Maqedonci ishte oficer me përgjegjësi primare për ushtrimin e madh “Defender Europe 23”.
Maqedonci, i cili ka përvojë të gjatë ushtarake, ka shërbyer edhe në Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës.
Mehaj kërkon angazhim në misione ndërkombëtare, shfaq pakënaqësi me Kurtin
Dorëheqja e Ministrit të Mbrojtjes, Armend Mehaj, u bë sipas paralajmërimeve në gusht, sado që ka muaj që ministri është në kërkim të një angazhimi tjetër.
Burime të RTV21 thonë se Mehaj ka kërkuar nga organizatat ndërkombëtare një letër rekomandim për t’u angazhuar në misionet ndërkombëtare ushtarake në ndonjë vend tjetër në botë. Aktualisht, thonë burimet, nuk ka një angazhim për Ministrin kudo qoftë në misionet ndërkombëtare dhe nuk ka patur një rekomandim për të.
Burimet e RTV21 thonë se kërkesa e Mehajt për largim nga Ministria vjen edhe për faktin se ai ka shfaqur pakënaqësi me politikat e shefit të tij, kryeministrit Kurti, në veçanti prej përshkallëzimeve të marrëdhënieve me bashkësinë ndërkombëtare.
Mehaj, i paraqiti dorëheqjen Kurtit në fiillim të gushtit me arsyet familjare dhe e njëjta u pranua nga kryeministri.
Armend Mehaj, një shtetas norvegjez me prejardhje nga Kosova, u emërua në detyrën e Ministrit në fillim të mandatit të Qeverisë Kurti, pas zgjedhjeve të 14 shkurtit 2021.
Televizioni publik: Kurti ka pranuar dorëheqjen e Ministrit Mehaj
Në Qeverinë Kurti së shpejti do të ketë ndryshime. Ministri i deritashëm i Mbrojtjes Armend Mehaj, do të zëvendësohet nga koloneli i Forcës së Sigurisë së Kosovës, Ejup Maqedonci.
Burimet e RTKlive thonë se për ministrin Mehaj ende nuk dihet nëse do të transferohet në ndonjë pozitë në institucionet e Kosovës, apo do të kthehet në vendin ku ka jetuar e punuar në Norvegji.
Të njëjtat burime konfirmojnë se kryeministri Kurti ka pranuar dorëheqjen e ministrit Mehaj, i cili ka kërkuar lirimin nga detyra. Sipas burimeve të RTKlive, Mehaj ka ofruar dorëheqje për arsye familjare.
Lidhur me këtë portali rtv21.tv është në pritje të përgjigjes nga Ministria e Mbrotjes dhe Qeveria e Kosovës.