Kurti për marrëveshjen e Uashingtonit: Ka disa pika që janë problematike për Kushtetutën tonë

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, në një intervistë për “European Western Balkans (EWB)” ka folur për marrëveshjen e Uashingtonit, të nënshkruar në Shtëpinë e Bardhë nën ndërmjetësimin e ish-presidentit Donald Trump e të nënshkruar nga ish-kryeministri Avdhullah Hoti dhe presidenti serb, Aleksandër Vuçiq.

Kurti ka thënë se duhet qenë të kujdesshëm me marrëveshjen e Uashingtonit, meqë, sipas tij disa pika të kësaj marrëveshje janë problematike. Në këtë kontekst, Kurti ka përmendur moratoriumin njëvjeçar për të mos lobuar për anëtarësim në institucionet ndërkombëtare.

Gjithashtu, Kurti në këtë intervistë ka mohuar të ketë thënë që thjesht s’do ta marrë parasysh të gjithë marrëveshjen e Uashingtonit, derisa ka shtuar se njohja nga Izraeli është pika më e vlefshme e marrëveshjes.

Lideri i Lëvizjes Vetëvendosje, partisë fituese të zgjedhjeve të fundit, e ka rikujtuar edhe faktin që Serbia nuk është duke i’u përmbajtur zotimeve, duke e përmendur refuzimin për zhvendosje të ambasadës nga Tel Avivi në Jerusalem.

Unë jam një nga liderët që e kanë mbështetur presidentin Biden, të kundërtën e presidentit Vuçiq, i cili ka lobuar fort për presidentin Trump. Unë s’kam thënë që atë që është nënshkruar në Uashington do ta hedh thjesht tutje, aspak ashtu. Pika e fundit, që ishte njohja e Izraelit për Kosovën, është implementuar dhe është pjesa më e vlefshme e marrëveshjes. Ju duhet ta dini që dy tekstet nuk janë të njëjta.

Për shembull, në tekstin e palës serbe ishte shkruar që ambasada do të zhvendoset nga Tel Aviv në Jerusalem, por s’ndodhi siç ishte supozuar. Kështu që, dy tekste të ndryshme, dy zotime të njëanshme. Ne nuk duam që ta neglizhojmë në parim, por në të njëjtën kohë duhet të jemi të kujdesshëm, sepse janë disa pika problematike për Kushtetutën tonë e që janë nënshkruar si zotime nga kryeministri paraprak.

Vetëm sa për ta përmendur, fakti që ne nuk jemi duke lobuar për anëtarësim në organizata ndërkombëtare. Kjo është në kundërshtim me Kushtetutën e Republikës së Kosovës”, ka thënë Kurti për “EWB”-në.


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu