Kurti, shqip e serbisht për reprocitetin e 1 gushtit

Kryeministri i Kosovës Albon Kurti mbrojti vendimin për një dokument shtesë për serbët që hyjnë në Kosovë, duke thënë se kjo u imponua nga Beogradi.

Duke folur për vendimin që hyn në fuqi nga 1 gushti, ai tha se nëse qytetari kosovar ka nevojë për një dokument shtesë kur hyn në Serbi, është e nevojshme të ketë një të tillë edhe kur hyhet në vendin tonë.

“Sa i përket vendkalimeve kufitare, ju e dini shumë mirë që çdo qytetar i vendit tonë kur dëshiron të kalojë kufirin në Serbi, i duhet të pajiset me një dokument shtesë atje. Ne s’do të kishim preferuar dokumente të tilla, por nëse ka një dokument ku qytetari i vendit tonë e merr në kufi kur shkon në Serbi, duhet të ketë një tillë edhe kur qytetarë i cili është i pajisur me dokumente të lëshuara nga autoritetet e Serbisë, hyn në Kosovë”, tha Kurti, duke shtuar se kjo vlen dhe për targat.

“Siç nuk kemi qenë për ato targat e përkohshme, nuk jemi as për këto lloj dokumente të përkohshme, por përderisa ka një të tillë për qytetarin tonë kur shkon në Serbi, është e nevojshme të ketë një të tillë edhe kur hyhet në Kosovë, dhe kjo do të fillojë nga 1 gushti”.

Më herët, në një videomesazh në gjuhën serbe, Kurti iu drejtua pikërisht serbëve duke u thënë se vendimi nuk duhet të shihet ndryshe vetëm si “përgjigje ndaj shkeljeve të të drejtave, të drejtave tuaj, si nënshtetas të Republikës së Kosovës”.

“Kjo që po fillojmë ne tani më 1 gusht, Serbia ka filluar ta zbatojë para 11 vjetësh. Ne do të jemi në dispozicion duke dëshmuar që çdo veprim i yni është vetëm respektimi i ligjit i cili si i tillë, trajton secilin dhe të gjithë njësoj”, tha Kurti.


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu