Kurti tregon se çka bisedoi me sekretarin e NATO-s dhe Josep Borrell

Kryeministri i Kosovës Albin Kurti, ka njoftuar se së fundmi ka zhvilluar bisedë telefonike me Përfaqësuesin e Lartë të Politikës së Jashtme të BE-së, Josep Borrell, dhe sekretarin e NATO-s, Jens Stoltenberg.

Këtë e bëri të ditur vetë Kurti përmes një postimi në Twitter, ku tha se në këto biseda diskutuan sundimin e ligjit, paqen dhe sigurinë. Por temë e diskutimit ishte edhe situata e krijuar në veri javën e fundit, derisa shtoi se janë pajtuar se dialogu është mënyra e vetme për të gjetur zgjidhje.

Pata biseda telefonike me Josep Borrell, dhe sekretarin e NATO’s Jens Stoltenberg. Ne diskutuam sundimin e ligjit, paqen dhe sigurinë dhe nevojën për de-përshkallëzim në veri të Kosovës. Dialogu është mënyra e vetme për të gjetur zgjidhje.

Kujtojmë se gjatë ditës Stoltenberg dhe Borrell kanë zhvilluar biseda edhe me presidentin serb Aleksander Vucic. Ai është deklaruar më pas për bisedat që zhvilloi me ta, derisa paraqiti një qëndrim krejtësisht të kundërt nga ato që ka thënë prej kur Njësia Speciale e Kosovës është vendosur në kufirin Kosovë-Serbi.

Në bisedën që ka pasur me shefin e BE ‘së për Punët e Jashtme, Aleksandër Vucic tha, se Serbia nuk do të heqë dorë nga angazhimi i saj për paqen, pavarësisht siç ka thënë ai, ‘sjelljes së papërgjegjshme, joserioze dhe kriminale nga autoritetet e Prishtinës’, shkruan media serbe.

Ndërsa në reagimin e tij që ka bërë sot Borrell e ka quajtur të papranueshëm çdo provokim të mëtejshëm të situatës ose veprime të njëanshme dhe të pakoordinuara.

Unë vazhdoj të ndjek nga afër situatën në veri të Kosovës. Serbia dhe Kosova duhet të de-përshkallëzojnë pa kushte situatën në terren, duke tërhequr menjëherë njësitë speciale të policisë dhe duke çmontuar pengesat në rrugë. Çdo provokim i mëtejshëm ose veprime të njëanshme dhe të pakoordinuara janë të papranueshme”, thuhet në reagim e Borrell.

Nga ana tjetër për këto biseda ka njoftuar edhe sekretari i NATO’s, Jens Stoltenberg. Ai ka kërkuar nga Kosova e Serbia që menjëherë të qetësojnë situatën dhe t’i kthehen dialogut.

Kam folur me Vuçiq dhe Kurtin për nevojën e de-përshkallëzimit të situatës në veri të Kosovës. Është vitale që Prishtina e Beogradi të tregojnë përmbajtje dhe t’i rikthehen dialogut. Mandati i KFOR-it mbetet sigurimi i një ambienti të sigurtë si dhe liria e lëvizjes për të gjithë”, ka shkruajtur Stoltenberg.


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu