Kryeministri Hristijan Mickoski ka bërë të qartë se provimi i jurisprudencës nuk do të mund të jepet tërësisht në gjuhën shqipe, duke paralajmëruar një zgjidhje që parasheh ndarjen e tij në dy pjesë.
Sipas Mickoskit, kandidatët do të mund ta japin pjesën e provimit që lidhet me studimet universitare në gjuhën në të cilën kanë përfunduar arsimin e lartë, përfshirë shqipen, turqishten dhe anglishten.
Megjithatë, pjesa që përfshin simulimin e procesit gjyqësor, përkatësisht procedurat penale dhe civile, do të zhvillohet detyrimisht në gjuhën maqedonase.
Kryeministri theksoi se qëndrimi i Qeverisë është që maqedonishtja të mbetet gjuhë e përbashkët në sistemin gjyqësor, duke argumentuar se kjo lidhet me sundimin e ligjit dhe jo me çështje politike.
Propozimi pritet të shqyrtohet në një nga mbledhjet e Qeverisë.










