Kurti: Vendosja e ambasadave në ambiente të përbashkëta mes Kosovës e Shqipërisë do të kursente buxhetet

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka pritur në takim një delegacion të deputetëve të Partisë Socialiste në Kuvendin e Republikës së Shqipërisë, që udhëhiqej nga kryetari i Grupit Parlamentar, Taulant Balla.

Bashkëpunimi dhe bashkërendimi i veprimeve, në veçanti në politikën e jashtme të të dyja shteteve, ishin tema kryesore e takimit.

Duke theksuar stabilitetin institucional në të dy shtetet, si rezultat i udhëheqjes nga qeveri që kanë shumicën në parlament, kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste në Kuvendin e Republikës së Shqipërisë, Taulant Balla, tha se duhet të shfrytëzohet ky moment për angazhim edhe më të madh të deputetëve në intensifikimin e bashkëpunimit në të gjitha fushat.

Ai tha se resurset dhe përvoja e deputetëve shqiptarë do të jenë në shërbim të lobimit dhe mbrojtjes së interesit të Kosovës në organizatat dhe forumet ndërkombëtare.

Kryeministri Kurti u shpreh i nderuar për vizitën e delegacionit të deputetëve të Kuvendit të Republikës së Shqipërisë dhe u pajtua se ka shumë mundësi bashkëpunimi ndërmjet institucioneve të të dyja shteteve.

Në kohën e krizës energjetike që ka përfshirë Evropën dhe rajonin, kryeministri Kurti vuri theksin sidomos te bashkërendimi i politikave energjetike. Bashkërendim politikash nevojiten edhe në fushën e mbrojtjes dhe sigurisë, tha ai dhe shtoi se blerja e objekteve dhe vendosja e ambasadave në ambiente të përbashkëta do të kursente buxhetet dhe do të lehtësonte bashkëpunimin.

Pjesë e delegacionit ishin Anila Denaj, zëvendëskryetare e Grupit Parlamentar të PS në Kuvendin e Shqipërisë, Arben Pëllumbi, kryetar i Komisionit të Veprimtarisë Prodhuese, Tregtisë dhe Mjedisit, Gerta Duraku, deputete e Qarkut të Kukësit, Benet Beci, deputet i Qarkut të Shkodrës, Alqi Bllako, deputet i Qarkut të Tiranës dhe Ambasadori i Republikës së Shqipërisë në Kosovë, Qemal Minxhozi.

Në takim ishin të pranishëm edhe udhëheqësja e Grupit Parlamentar të Vetëvendosjes Mimoza Kusari dhe deputeti Gani Krasniqi.


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu