Kurti zhvillon bisedë telefonike me sekretarin Blinken: Kosova partner i jashtëzakonshëm i SHBA-së

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka zhvilluar një bisedë telefonike me sekretarin e shtetit të SHBA-së, Antony Blinken. Siç njofton Zyra e Kryeministrit të Kosovës, sekretari Blinken tha se “Kosova është partner i jashtëzakonshëm i SHBA-së” dhe ka falënderuar kryeministrin Kurti dhe Qeverinë e Kosovës për gatishmërinë dhe bashkëpunimin e ngushtë “për t’u ofruar strehim qytetarëve afganë dhe për shpëtimin e mijëra jetëve”.

Ndërkaq, Kurti, i cili ka shprehur mirënjohje për mbështetjen e vazhdueshme nga SHBA-ja, ka thënë se kur është në pyetje çështja humanitare dhe aleatët e Kosovës “nuk bëhet pyetja pse, por vetëm ajo si”.

Ai tha se Kosova është e nderuar të ofrojë një mjedis të sigurt për qytetarët afganë gjatë tranzicionit të tyre.

Aleanca jonë me SHBA-në është e palëkundur dhe miqësia jonë po bëhet më e fortë”, tha kryeministri Kurti.

Autoritetet kosovare më 15 gusht pranuan kërkesën e SHBA-së për të siguruar strehim të përkohshëm për civilët afganë të cilit kishin punuar me forcat amerikane derisa të përfundojë procedura për largimin e tyre drejtë SHBA-së. Deri më tani, Kosova ka pranuar për strehim 683 shtetas afganë të cilët janë vendosur në ish-kampin e kompanisë Bechtel-Enka në qytetin e Ferizajt, ndërsa në vend pritet të vijnë gjithsej rreth 2 mijë shtetas afganë.

Blinken u shpreh i lumtur që në Kosovë kanë arritur mbi 500 mijë doza të vaksinës së kompanisë Pfizer, të cilat SHBA-ja ia dhuroi Kosovës, duke theksuar përkushtimin për thellimin e miqësisë dhe partneritetit ndërmjet të dyja vendeve.

Duke folur për rëndësinë e bashkëpunimit rajonal, kryeministri Kurti theksoi çështjen e të zhdukurve me dhunë gjatë luftës. Ai tha se shtetet e rajonit do të duhej të shtonin “angazhimin në sundimin e ligjit kundër korrupsionit dhe oligarkëve, demokratizimin kundrejt autokratëve, përballjen me të kaluarën kundër kriminelëve të luftës në pushtet, si dhe reciprocitetin e të drejtave të pakicave kundruall hegjemonisë nacionale“.

Kryeministri Kurti ritheksoi gatishmërinë e Kosovës për bashkëpunim më të madh me SHBA-në, për të rritur investimet e jashtme direkte dhe shkëmbimet tregtare me Kosovën. Po ashtu e njoftoi atë për rritjen e eksportit, aktivitetit ekonomik dhe të hyrave buxhetore në Kosovë.


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu