Kusari-Lila dhe Gjini mohojnë se pati bisedime sekrete mes Kosovës dhe Serbisë në Zvicër, tregojnë detajet e takimeve

Departamenti Federal i Punëve të Jashtme të Zvicrës, ka konfirmuar se ka pasur takime jozyrtare mes përfaqësuesve kosovarë dhe atyre serb në Zvicër. “Takimet sekrete” siç është raportuar nga disa media zvicerane, thuhet se janë mbajtur që nga viti 2015.

FDFA-ja në një përgjigje për Telegrafin tha se një takim i tillë së fundmi u zhvillua një javë pas largimit të serbëve nga institucionet e Kosovës.

Që nga viti 2015, Departamenti Federal i Punëve të Jashtme ka mbështetur negociatat zyrtare të BE-së me takime plotësuese jozyrtare me përfaqësues të partive kryesore politike nga të dyja vendet. Kjo u mundësoi atyre të shkëmbejnë pikëpamje mbi çështjet politike dhe të ndërtojnë besim. Takimi i fundit u zhvillua në Zvicër një javë pasi serbët u tërhoqën nga institucionet kosovare”, thuhet në përgjigjen e FDFA-së.

Mediat serbe kanë raportuar se në këto takime Serbia është përfaqësuar nga Nemjana Staroviq, Sanda Raskoviq Iviq, Branko Ruzhiq, Gjorgje Paviçeviq, ndërsa Kosova është përfaqësuar nga Mimoza Kusari e Lëvizjes Vetëvendosje, Lutfi Haziri i LDK-së dhe Ardian Gjini i AAK-së.

Lidhur më këtë Telegrafi ka kontaktuar me shefen e Grupit Parlamentar të LVV-së, Mimoza Kusari-Lilën, dhe nënkryetarin e AAK-së njëherit kryetarin e Gjakovës, Ardian Gjini.

Kusari-Lila dhe Gjini kanë thënë se ato nuk ishin “takime sekrete”.

Takimet nuk janë sekrete dhe nuk janë negociata. Ata janë më shumë lehtësim i komunikimit të palëve në dialog. Ato nuk janë negociata; ato organizohen për të ndihmuar në dialog. Dhe ato nuk janë sekrete, por janë të organizuara sipas parimit të Chatham House”, ka thënë Kusari-Lila për Telegrafin.

Kusari-Lilës nuk i pëlqeu referimi me “takime sekrete” duke thënë se kjo “është sensacional, ndërsa nuk ka asgjë sensacionale gjatë takimeve”.

Të njëjtat organizohen prej 2015-tes dhe të gjitha partitë parlamentare janë pjesëmarrëse, pozitë dhe opozitë. Sa i përket diskutimit dhe konkluzave ato janë të publikuara në uebfaqen e CIG-ut”, u shpreh Kusari-Lila.

Edhe nënkryetari i AAK-së, Ardian Gjini bëri të ditur se këto nuk janë takime sekrete.

Janë takime të cilat mbahen për shumë vite. Edhe pjesëmarrësit kanë qenë të ndryshëm, nga të gjitha partitë parlamentare të Kosovës dhe Serbisë. Asnjëherë nuk kanë qene sekrete. Në fakt nuk janë takime negociuese, është spektakularitet i kotë. Rregulla Chatham House nënkupton mos citim të njëri tjetrit e jo fshehtësi te diskutimeve. Qeveria Zvicerane e mbështet CIG për mbajtjen e takimeve joformale diskutuese”, ka thënë Gjini.

Departamenti Federal i Punëve të Jashtme ka shtuar se Zvicra mbështet normalizimin e raporteve Kosovë-Serbi.

Normalizimi i marrëdhënieve ndërmjet Serbisë dhe Kosovës është një pjesë e rëndësishme për të promovuar stabilitetin dhe zhvillimin në Ballkanin Perëndimor. Zvicra mbështet përpjekjet për normalizim ndërmjet Serbisë dhe Kosovës dhe këtë e ka bërë të qartë vazhdimisht në kontaktet e saj zyrtare”, thuhet mes tjerash në përgjigje.


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu