Kolonel Lejtnant Alexander Vindman ka qenë oficer i këmbësorisë amerikane në disa fushata ushtarake jashtë vendit. Ai është nderuar me medaljen “Zemra e Purpurtë” (Purple Heart) pasi u plagos në Irak nga një bombë e vendosur në anë të rrugës.
Alexander Vindman ka shërbyer në ambasadat amerikane në Kiev dhe në Moskë dhe ka mbuluar çështjet politiko-ushtarake me Rusinë në Pentagon. Por është pozicioni i tij më i fundit, si eksperti kryesor për Ukrainën në Këshillin e Sigurisë Kombëtare në Shtëpinë e Bardhë, që e vendosi atë në epiqendër të vëmendjes, ndërsa Dhoma e Përfaqësuesve me shumicë demokrate po vazhdon hetimet që mund të çojnë në ngritjen e akuzave zyrtare për shkarkimin e Presidentit Donald Trump.










