Kush është kreu i ri i Parlamentit Italian?

Me 222 vota nga 400 gjithsej, Lorenzo Fontana u zgjodh sot kryetar i parlamentit italian. Në fjalimin e tij të parë para parlamentarëve italianë, Fontana premtoi “të përfaqësojë të gjithë përfaqësuesit e zgjedhur të partive” dhe falënderoi Papa Françeskun për veprimin e tij.

Në të njëjtën kohë ai shtoi se “madhështia e Italisë qëndron në diversitetin e saj, i cili duhet shfrytëzuar edhe nëpërmjet pushtetit vendor”.

Kryetari i ri i Parlamentit italian theksoi se “duhen dhënë përgjigje urgjente për një sërë problemesh, duke nisur nga varfëria në rritje”, dhe se “deputetët duhet t’u ofrojnë qytetarëve imazhin e një të ardhmeje të mundshme, duke forcuar ndjenjën e krenarisë”.

Së fundi, Lorenzo Fontana u shpreh në favor të respektimit të Planit të Rimëkëmbjes italiane, luftës kundër pandemisë së koronavirusit dhe tregoi, si pikë kryesore referimi në veprimin e tij, respektimin e Kushtetutës së vendit.

Por fjalimi i Fontanës, i cilësuar nga shtypi italian si ultrakonservator, nuk u duartrokit nga opozita.

Kush është presidenti i ri i Parlamentit italian, Lorenzo Fontana

Fontana është 42 vjeç dhe konsiderohet si një nga drejtuesit më ekstremë të Lega-s. Në të kaluarën, ai ka qenë, në qeverinë e parë të Giuseppe Conte, ministër i çështjeve evropiane dhe përgjegjës për çështjet që kanë të bëjnë me familjet italiane. Nga viti 2009 deri në 2018 ka qenë eurodeputet, gjithmonë me partinë e Lidhjes.

I diplomuar për Filozofi, ai e ka karakterizuar abortin si “shkaku i parë i femicideve në botë”, ndërsa kundërshtoi miratimin e marrëveshjeve të bashkëjetesës dhe futjen e edukimit seksual në shkollat ​​italiane. Duke iu referuar Vladimir Putinit, ai është shprehur se “ai është një pikë referimi për këdo që beson në një model shoqërie me identitet të qartë”.

Më në fund, siç shkroi në Twitter kreu i partisë centriste Azione (Veprim) Carlo Calenda, Fontana, në vitin 2016, i kishte dërguar një mesazh urimi të regjistruar në video konferencës së Agimit të Artë. /tesheshi.com/


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu