Kuvend i RMV: Tensione edhe në seancën për pyetje të deputetëve

Deputetët e opozitës me pyetje, kritika dhe kërkesa për zgjedhje të parakohshme parlamentare, ndërsa deputetët e shumicës me pyetje dhe konstatime për arritjet e kësaj qeverie. Në këtë mënyrë u zhvillua debati në seancën për pyetje deputetësh, që pas një kohe të gjatë rikthehet në sallën plenare, me sistem të ri të digjitalizuar dhe me prezencë fizike të mediave. Disa nga pyetjet që opozita i parashtroi kryeministrit Kovaçevski, kishin të bëjnë me kryeparlamentarin Talat Xhaferi, raporton Klan Macedonia.

“Nuk dëshironi të gjykoni asnjë ngjarje ku qartë shihet se ka faj të bartësve të funksioneve shtetërore. Ju jeni kryeministër, edhe pse nuk keni legjitimitet, por keni obligime ligjore, sipas të cilave duhet të silleni. Për mua Talat Xhaferi është treguar si jo dinjitoz për kryerjen e funksionit kryeparlamentar dhe deri tani duhej të jep dorëheqje… A vlerësoni se Talat Xhaferi është kërcënim për sigurinë kombëtare dhe a jeni krenarë që ai ua udhëheq koalicionin në Kuvend”, tha Dragan Kovacki, deputet i VMRO-DPMNE-se.

“Në vend se pyetjen t’ia drejtoni kryeparlamentarit, ju ma drejtoni mua, sikur të keni frikë ta pyesni Xhaferin. E para unë nuk jam zëdhënës i kryetarit të Kuvendit, e dyta në raport me përdorimin e fjalorit, unë gjithmonë i jam përmbajtur intonacionit të duhur dhe mënyrës së duhur të komunikimit. Unë ditën e parë kur dhashë deklaratë thashë se unë nuk mund ta urdhëroj Kuvendin për mënyrën e zbatimit të kodit etik të sjelljes”, u shpreh Dimitar Kovacevski, kryeministër.

“Talat Xhaferi nuk do të lejojë dikush nga pallati i bardhë t’i japë urdhra se si do të zbatohet puna e Kuvendit… Unë ju kuptoj, nga ky institucion dëshironi të bëni teatër, përgjegjësia është juaja…. ndërsa sa i përket sjelljes, fillimisht ju duhet t’u kërkoni falje atyre që i dëbuat nga lart, aty qëndrojnë, kjo nuk do të ndodhë, nuk do të ndodhë derisa të jem unë këtu. Kush do të vendosë ndryshe, kur të vjen koha të jetë në vendin tim, le të veprojë ashtu”, deklaroi Xhaferi, kryeparlamentar.


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu